Politike

Pedagogët ishin në protestë, Rama njofton rritjen e pagave me 7%: Pjesën tjetër e vendos universiteti sipas meritës

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama njoftoi se në mbledhjen e radhës të qeverisë, pagat për pedagogët do të rriten me 7%, por se universiteteve do t’u njihet e drejta për një të vendosur vetë një tavan pagash, sepse profesorët nuk mund të paguhen të gjithë njësoj dhe sipas meritës e vendosin vetë rritjen.

“Universiteti nuk është njësoj me të tjerët, nuk mund të kenë të gjithë të njëjtën pagë. Ata që dalin në rrugë le të dalin, kanë të drejtën e tyre. Janë qiqra në hell. Nuk jeni mësus, as gjimnazi as 9-vjeçareje. As mjekë as infermier. As policë, as ushtarakë, as nënpunës civilë, as pensionistë. Pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe mjafton të duash e ia bën 4 herë më të lartë pagë. Me fondet e vetëfinancimit, fondet europiane, fondet e universiteteve private. Mos të flasim për pagat në privat që janë të deklaruara pjesërisht”, -tha Rama gjatë një takimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, teksa pedagogët ishin në protestë para Rektoratit në Tiranë.

Rama përmendi dhe se UBT-ja ka potencial për të qenë një qendër ekselence në rajon dhe se po punohet për ta kthyer atë në një pikë akademike më të dinjiteshme. Rama sugjeroi që profesorët që bëjnë punë ekstra, nëpër fshatra e me studentët, të marrin kredite ekstra. Ai iu kërkoi studetëve të shohin të ardhmen tëk Bujqësore dhe jo “të turren tek juridiku”.

“Deri tani qeshnin me mua kur thoja se satelitët do të ndihmojnë bujqësinë, tani do të qesh unë. Satelitët do të na japin mundësi të ndjekim prodhimin në kohë reale dhe të gjitha proceset. Kemi parë fermerë që hedhin në rrugë qershitë dhe fermerë që bëjnë 5fish fitime po me qershitë. Kush e bën diferencën? E bën dija. Sa më shumë të arrijmë të trajnojmë, të përçojmë shembuj e dije tek fermerët që tregojnë sukses e jo dështim, do të rrisim eksportet dhe perspektivën ekonomike të sipërmarrjeve në fshat. Është koha e sipërmarrjes jo më mbijetesës tek e tek”, -tha Rama.

Shoqëruar dhe nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ata prezantuan sot programin e bashkëpunimit të Universiteti Bujqësor të Tiranës me prodhuesit bujqësor, ku synohet trajnimi i 1.800 fermerëve. Sipas ministres, fermerët dhe prodhuesit do të mësojnë praktika të reja dhe mënyra më eficente për punën e tyre, me specialistë. Njëkohësisht studentët do të kenë mundësi të trajnohen në terren dhe të praktikojnë njohuritë e tyre.

“UBT është partner i ministrisë me rol të madh në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Vetë prodhuesit kërkojë njohje të teknikave të reja, zhvillimit të tregjeve. Duhet të përballemi me perceptimet dashakeqëse të bujqësisë se ajo bëhet me parmendë. Studentët që do të shoqërojnë profesorët do t’i përgjigjen fermerëve për kërkesat e tyre”, - tha ministrja e Bujqësisë.

Duke folur për programin e trajnimit, rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku tregoi se universiteti po hap 5 programe të reja në bashkëpunim me universitet italiane dhe se po përshtatet dhe me energjitë e rinovueshme duke implementuar panele solare me 213 kilovat, që mbulojnë 40-50% të nevojës që ka kampusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë