Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka sot kapacitetet për të mundësuar regjistrimin e emigrantëve që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha në një konferencë për shtyp se nëse do të pranohet propozimi i PD-së, do të duhet një tjetër sistem që të regjistrojë emigrantët.
“PER është ndërtuar për të identifikuar dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet edhe përmes dokumenteve të tjera, do të duhet të bëhet një sistem tjetër ose të zhvillohet ky sistem”, tha Celibashi.
Megjithatë Komisioneri nuk dha një përgjigje lidhur me përmbajtjen e propozimit të PD-së.
“Nuk më takon të komentoj propozimet që partitë kanë në lidhje me ndryshime të mundshme të kodit. Nëse bien dakord ato, ne kemi detyrimin për t’i zbatuar”, theksoi Komisioneri.
Celibashi tha se nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor për votën e diasporës do të miratohen pas fundit të marsit ata nuk do kenë dobi.
Më 4 mars përfundon procesi i aplikimit të votuesve të diasporës dhe më 9 mars lista e votuesve nga jashtë. 24 mars mbyllet procesi i paraqitjes së kandidatëve për deputet.
Menjëherë pas marsit do të nisë printimi i fletës së votimit dhe dokumentacioni i procesit zgjedhor për votuesit nga jashtë.
Në zgjedhjet e 11 majit nuk do të ketë votim elektronik në një qark të vetëm, por sipas Celibashit detyrimi ligjor që do të zbatohet është që ky proces të mbahet në 2-3 njësi të vogla administrative.
Sa i përket shifrave të regjistrimit të emigrantëve, nga 140 mijë kërkesa të bëra, janë shqyrtuar 136 mijë dhe deri tani të drejtën për të votuar e kanë marrë rreth 87 mijë emigrantë.
Qarqet me numrin më të madh të emigrantëve të regjistruar janë Tirana, Fieri, Korça dhe Durrësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.