Nga Gazeta ‘Si’- Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për shtyp me gazetarët bëri të ditur se i ka kërkuar Kuvendit që të miratojë buxhetin për fushatën zgjedhore.
“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do t’u vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar”, tha Celibashi.
Celibashi deklaroi se në total janë 116 mijë e 190 zgjedhës që kanë bërë kërkesë për regjistrim.
Po ashtu ai bëri të ditur se janë 86 mijë e 570 zgjedhës të cilëve iu është miratuar kërkesa për të qenë në listën e zgjedhësve të votuesve nga jashtë dhe 25 mijë e 401 qytetarë që u është refuzuar kërkesa.
Celibashi tha se partitë politike janë në të drejtën e tyre të nxisin dhe asistojnë votuesit, por duhet të tregojnë kujdes me përfitimin e të dhënave personale, pasi mund të përballen me përgjegjësi ligjore.
“Procesi i regjistrimit është duke ecur shumë mirë. Partitë politike janë të angazhuara në këtë proces. Ka element të caktuar, ku në mungesë totale të informacionit, kanë komentuar dhe kanë dhënë vlerësime që nuk kanë të bëjnë me faktet dhe të vërteta. Nuk kemi shqetësim përsa kohë e dimë shumë mirë se çfarë jemi duke bërë.
Kam vetëm një thirrje për partitë politike për të gjitha pa përjashtim janë në të drejtën e tyre të nxisin dhe asistojnë votuesit dhe mbështetësit e tyre për u regjistruar, por nuk duhet ta bëjnë ata këtë proces.
Procesi i regjistrimit në platformës është një proces që duhet të bëhet individualisht nga votuesit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.