Politike

Propozimi i PD: Me një fjali në Kushtetutë hapen listat dhe nuk preken koalicionet

Partia Demokratike dhe aleatët e saj këmbëngulin se për realizimin e qëllimit të hapjes 100 për qind të listave të kandidatëve për deputetë nuk ka nevojë për asnjë ndryshim të nenit 64 të Kushtetutës, që flet për sistemin zgjedhor, por vetëm neni 68 i saj ku flitet për listat shumemërore të partive, apo koalicioneve.

“Në këtë nen (68), parashikohet edhe një rregull në pikën 1 të tij, sipas të cilit “Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës”. Kjo fjali në Kushtetutë është e vetmja pengesë për të kaluar në një mekanizëm me lista 100 % të hapura. Heqja e kësaj fjalie është e mjaftueshme që në ligjin e zgjedhjeve të parashikohet aplikimi i mekanizimit me lista 100 % të hapura, sepse sipas pikës 3 të nenit 64 të Kushtetutës është ligji i zgjedhjeve që parashikon kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional”, thotë PD në propozimin e paraqitur në mbledhjen e Këshillit Politik këtë të mërkurë.

Sipas opozitës, ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cenojnë garën elektorale mes partive politike dhe të kryera gjashtë muaj përpara datës për regjistrimin në zgjedhje janë jo vetëm të papranueshme, por edhe cenim i rëndë i barazisë në procesin zgjedhor.

“Ato janë hartuar dhe imponuar në mënyrë të njënashme të imponuara nga njëra palë, për ti shërbyer interesave të ngushta politike, në situatën politike të momentit, 6 muaj para regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme”, thotë opozita.

Në fund të propozimit të opozitës theksohet se asnjë ndryshim tjetër në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhohr që ka të bëjë me formulën ekzistuese të koalicioneve zgjedhore, ndarjen e zonave zgjedhore në nivel qarku, formulën e përllogaritjes së ndarjes së mandateve ndërmjet dhe brenda koalicioneve, pragu elektoral ekzistues dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me procesin nuk mund të bëhet pa arritur dakordësinë mes të gjitha palëve në Këshillin Politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë