Futboll

Propozimi i Lineker: Hiqni rregullin e golit në transfertë të ketë spektakël!

Për të mirën e futbollist dhe për të pasur më shumë spektakël në fushat e blerta, UEFA duhet të zhvlerësojë rregullin e golit në transfertë, apo goli në fushë kundërshtare, që vlen dyfish. Ky është propozimi i legjendës angleze, Geri Lineker. Gjatë ndeshjes së parë çerekfinale në Champions League mes Mançester Junajtid dhe Barcelonës, që përfundoi 0-1, ai është bindur plotësisht se një ndryshim i tillë nuk do ta ndrydhte futbollin dhe do ta bënte atë më spektakolar.

Momenti kur Barcelona shënoi golin në “Old Trafford” ishte pika kyçe e ndeshjes. Më pas loja e saj u bë më mbrojtëse dhe sipas ish-sulmuesit anglez, kjo gjë nuk do të ndodhte, nëse nuk do të ishte në fuqi rregulli i golit në fushë kundërshtare, që katalanasit deshën ta mbronin me fanatizëm, për ta pasur më të lehtë ndeshjen e kthimit.

Geri Lineker

"Nuk e di çfarë mendoni ju, por unë do të kisha qejf të bënim një eksperiment për një sezon, të heqim rregullin e golit në fushë kundërshtare, - ka thënë Lineker për "BT Sport". - Në ndeshjen e parë të gjitha skuadrat janë pak të ndrojtura, sepse kanë frikë se mos pësojnë një ose dy gola nga kundërshtari që luan në transfertë dhe që rrjedhimisht favorizohet pastaj në ndeshjen e kthimit. Nëse UEFA e eliminon këtë rregull, skuadrat që luajnë në fushë e tyre do të bënin futboll më të hapur në ndeshjen e parë, pa pasur frikën se me golat e pësuar do ta bënin gjithçka të vështirë sa i takon kualifikimit".

Ideja e Lineker është përkrahur edhe nga ish-lojtari i Mançester Junajtid, Ouen Hargrivs, i cili ka thënë: "Analiza e Lineker për Barcelonën është e drejtë, sepse pas golit ajo e uli ritmin. Por futbolli është i bukur dhe Mançesteri e humbi edhe ndeshjen e parë me PSG-në 0-2, por u kualifikua në kthim. Mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me Barcelonën, edhe pse pres që në ndeshjen e kthimit spanjollët të luajnë më mirë". Statistikat në fakt, janë kundër Mançesterit, që në "Camp Nou" ka fituar një herë të vetme. Dhe në atë rast nuk luante ndaj të zotëve të shtëpisë, por ndaj Bajern Mynih, në finalen e Champions League të vitit 1999.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë