Politike

Propozimi francez: Hiqni dorë nga BE në këmbim të partneritetit special

Zyrtarisht Franca deklaron se mbështet anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por pas bllokimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 18 tetor, jozyrtarisht Parisi duket se po përpiqet që të bindë vendet e rajonit që të heqin dorë vetë nga ambicia për t’u bërë anëtare të BE-së.

Sipas “Nezavisne”, gazetë e serbëve të Bosnjes, Franca po bisedon informalisht me një pjesë të këtyre vendeve duke u ofruar “partneritet special”, që përfshin mbështetje financiare, marrëveshje që parashikojnë lehtësi të mëdha qasjeje në tregun e përbashkët të BE-së dhe favore të tjera në këmbim të braktisjes në heshtje të idesë së anëtarësimit të plotë.

Franca është nën presion të fortë nga pjesa dërrmuese e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, që i kërkojnë që të heqë dorë nga qëndrimi i fortë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndaj nuk do të ishte habi që propozimi për “partneritet special” të ishte i vërtetë.

Përmes këtij propozimi, Parisi mund të joshë udhëheqësit e vendeve anëtare të Ballkanit Perëndimor, që ata vetë të krijojnë një tjetër qasje ndaj Bashkimit Europian, çka do t’i hiqte Francës nga supet barrën e rëndë të bllokimit të anëtarësimit të tyre.

Propozimi në vetvete nuk është një shpikje franceze. Të njëjtën gjë bëri dhjetë vite më parë Gjermania, por jo për vendet e Ballkanit, por për Turqinë. Në atë kohë, Berlini i propozonte zyrtarisht Ankarasë një formë “partneriteti special” në vend të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në rastin e Ballkanit Perëndimor, oferta franceze mund të interpretohet edhe si një rrugë e ndërmjetme dhe strategji e Presidentit Emmanuel Macron, që të mbajë të lidhur rajonin me Bashkimin Europian, duke e mbrojtur nga ndikimi i vendeve të tjera, por në të njëjtën kohë të shmangë mundësinë që në të ardhmen vendimmarrja e Brukselit të kushtëzohet nga vetoja e një vendi anëtar.

Macron ka shprehur publikisht qasjen franceze, që BE, para se të mendojë zgjerimin duhet të reformojë vetveten. Me reformim ai nënkupton edhe ndryshimin e rregullave të vendimmarrjes, duke hequr të drejtën e vetos. Franca sugjeron se nuk mund të ketë të njëjtën peshë vota e saj , e Gjermanisë, Spanjës apo Italisë me atë të Hungarisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera më të vogla të unionit.

Në këtë këndvështrim, zgjerimi në drejtim të Ballkanit të fragmentarizuar, sipas Francës, do të shtonte dhimbjet e kokës në vendimmarrjen e Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë