Politike

Rezoluta e PE: Negociatat me Tiranën dhe Shkupin të hapen në dhjetor

Parlamenti Europian ka votuar sot një rezolute për rihapjen e çështjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajt e ardhshëm.

Kjo rezolutë e hartuar nga të Gjelbrit i bën thirrje Këshillit Europian që të gjejë një kompromis në mbledhjen e tij në dhjetor për hapjen e negociatave. Nisma e eurodeputetëve, e cila u diskutua gjatë edhe mbrëmjen e së mërkurës, dënon Francën për veton e saj për hapjen e negociatave javën e kaluar. Nga 578 eurodeputetë, 412 prej tyre kanë votuar pro.

Pavarësisht përplasjeve mes kampeve, por dhe kundër zgjerimit, shumë eurodeputete thanë se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kritere objektive, dhe jo nga politikat brendshme ose polemika bilaterale të vendeve anëtare të BE-së.

Eurodeputja Tanja Fajon kishte zgjedhur sot një mënyrë mjaft simbolike për të kërkuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo dhe anëtarët e tjerë të grupit të Social-Demokratëve kanë pozuar në sallën e Parlamentin Europian duke mbajtur në duar flamuj shqiptarë dhe maqedonas.

“Ka ardhur koha që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të tregojnë pjekuri politike dhe të hapin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne Social-Demokratët në Parlamentin Europian (SD) qëndrojmë pranë jush”, shkruan raportuesja për Kosovën.

Në rezolutën e votuar këtë të enjte nga PE thuhet se Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave për këto dy vende dhe se bllokimi i këtij procesi do të sjellë destabilitet në të gjithë rajonin.

Rezoluta përmend reformat që kanë ndërmarrë të dy vendet, si reforma në drejtësi në Shqipëri dhe marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

"Duhet pasur parasysh përparimi në reformën gjyqësore në Shqipëri, e cila përcakton kushtet për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e institucionet gjyqësore të vendit dhe rrisin besimin e njerëzve në organet gjyqësore" thote rezoluta.

Përveç rezervave për secilin vend, shumica e eurodeputetëve ishin të mendimin se BE-ja kishte bërë një gabim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ata kanë kritikuar Francën, Holandën dhe Danimarkën për qëndrimin e tyre në prezencë të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri.
“Bashkimi Europian kishte mundësinë që të tregonte përgjegjësi dhe pjekuri politike, por ne dështuam mjerisht. Dhe ky dështim dëmton imazhin e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit”, u shpreh eurodeputetja holandeze Kati Piri.

“Është e habitshme se si Bashkimi Europian dështon të njohë sakrificat e Maqedonisë së Veriut që ka kapërcyer pengesa të mëdha si çështja e emrit, ashtu dhe përpjekjet që janë bërë për reformimin e gjyqësorit në Tiranë. Ne na duhet një vizion i qartë në rajon, para se të jetë tepër vonë dhe aktorët e tjerë të shpërndajnë influencën e tyre”dekaroi më tej eurodeputeti kroat Toni Picula.

Megjithatë në këtë diskutim nuk munguan kritikat e euodeputetëve franceze e gjermanë për Shqipërinë. Përfaqësuesi i Frontit Nacional, Gille Lebreton deklaroi se vendi ynë ka një reputacion publik të një vendi me një korrupsion endemik që asfikson vetë popullin e tij.
“Një në tre të rinj janë pa punë sipas shifrave të Bankës Botërore. Është e vërtetë që po bëhet një reformë e drejtësisë, por rezultatet janë shumë shqetësuese. Komisioni i Vertingut ka eliminuar gjykatës të korruptuar. Rezultati: Nga 17 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, mbeten vetëm dy dhe nga 9 të Gjykatës Kushtetuese mbetet vetëm një. Këto shifra tregojnë se në ç’nivel është korrupsioni në këtë vend”, u shpreh ai.

Po ashtu një tjetër eurodeputet i partisë së Marine le Pen, Jordan Bardella u ndal gjatë tek krimi i organizuar në vendin tonë, duke thënë se BE-ja nuk ka asnjë arsye pse të integrojë një vend si Shqipëria.
“Ajo është integruar praktikisht në BE. Në fakt, shqiptarët janë prezent në Francë dhe përfitojnë nga tregu europian. Klandestinët dhe organizatat kriminale qarkullojnë lirisht dhe dërgojnë në vendin e tyre para falë trafiqeve të të gjitha llojeve që bëjnë në vendin tonë. Nëse ne tolerojmë këtë, kjo vetëm do të forconte një situatë anarkike me të cilën përballen autoritete franceze”, deklaroi eurodeputeti Bardella.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe një eurodeputet i partisë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativës për Gjermaninë, duke thënë se 60% e popullsisë duan të ikin nga Shqipëria.

“Kjo përbën shqetësim të madh për ne për të gjitha çështjet që ngërthen”, tha Lars Patrick Berg. “ Të dyja vendet kanë institucione të brishta, probleme me shtetin e të drejtës dhe respektimin e standardeve", shtoi ai.

Por për eurodeputetin gjerman Reinhard Buticofer, ekstremistët dhe presidenti Macron janë shumë të izoluar në qëndrimin e tyre për Shqipërinë.

“Është një gabim historik dhe kaq zhgënjyese për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por ju lutem, president Macron, korrigjoni gabimin që bëtë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë