Sociale

Propozimi / Aplikim online edhe leja për të mbajtur armë

Qeveria synon që të përfshijë tek shërbimet online edhe mundësinë e shtetasve që ndjehen të kërcënuar për të aplikuar për të mbajtur armë.

Për këtë qëllim është propozuar ndërhyrja në një vendim të Këshillit të Ministrave, të 4 shkurtit 2015, duke përcaktuar se “kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror, ose rrethanave personale të veçanta për pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme bëhet online, e shoqëruar dhe me kopjen e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar”.

Po te ky propozim thuhet se brenda tre ditëve nga paraqitja e kërkesës, strukturat e komisiariatit të policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar duhet të administrojnë dokumentacionet e nevojshme, si relacionin nëse kërcënimi për jetë është real, ekstrakte dhe materiale të tjera të dala nga hetimi për këtë kërcënim dhe vërtetim të besueshmërisë së personit të kërcënuar.

Më pas, brenda tri ditëve të tjera pune, dosja dërgohet në drejtorinë vendore të policisë, e cila pasi bën vlerësimin dhe shpreh mendimin mbi bazën e dokumentacionit të marrë e përcjell atë në Komisionin Qendror për vlerësimin e rrezikut të personave në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, propozohet që afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion bazuar në vlerësimin e ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën. Ky vlerësim kryhet me një periodicitet jo më pak se çdo 3 muaj.

Shërbimi i aplikimit online me arsyetimin e shmangies së radhëve, burokracive dhe duke ofruar lehtësi personave të interesuar, propozohet që të ofrohet edhe për koleksionistët e armëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë