Sociale

SHBA:Pronat, problemi kryesor i komuniteteve fetare në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor të lirisë së besimit, ku për Shqipërinë nuk vërhet asnjë formë diskriminimi shtetëror ose joshtetëror, por theksohet problematikat që kanë hasur komunitetet të ndryshme fetare në çështjet e pronësisë.

“Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe ai Bektashi ngritën shqetësime në lidhje me ringritjen e kërkesave në sistemin gjyqësor dhe raportuan probleme për statusin e pronave të ndryshime. Drejtuesit e Vëllazëria Ungjillore Shqiptare raportuan vështirësi në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit dhe problemet në lidhje me tarifat e pushtetit vendor”, thuhet në raport.

Në raport vlerësohet roli i udhëheqësve fetarë gjatë protestave të dhunshme të pranverës së 2019.

“Gjatë protestave antiqeveritare, udhëheqësit fetarë lëshuan deklarata që dënonin dhunën dhe bënin thirrje për qetësi dhe dialog. Këshilli Ndërfetar nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën Shqiptare për bashkërendimin kundër ekstremizmit të dhunshëm në muajin maj për të forcuar bashkëpunimin në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe monitorimin e teksteve shkollore për të nënvizuar deklaratat çorientuese për besimin”, thekson raporti.

Në gjetjet e DASH përmendet edhe përplasja dhe polemikat që shoqëruan zgjedhjen e kreu të ri të KMSh-së, ku nuk munguan akuzat për ndërhyrje në procesin zgjedhor nga ana e Turqisë.

Për Kosovën, raporti thekson mungesën e një ligji që t’u mundësojë grupeve fetare që të regjistrohen si persona juridikë, por edhe këtu bie në sy problematika e pronave.

Ndërsa grupet fetare deklaruan se përgjithësisht kanë marrëdhënie bashkëpunuese me pushtetin vendor, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) tha se ky pushtet nuk i trajton organizatat fetare në mënyrë të barabartë për çështjet e pronës, përfshirë këtu edhe dhënien e lejeve dhe hapësirave për varrezat.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe akuzojnë Qeverinë se shkeli disa prej të drejtave pronësore të Kishës, të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është refuzimi për të zbatuar një vendim gjyqësor trevjeçar për të njohur pronësinë e një kishe në disa parcela toke rreth Manastirit të Deçanit, si dhe ndërtimin e rrugëve që kërcënuan zonat e mbrojtura.

Bashkësia Islame e Kosovës, nga ana tjetër ka raportuar dy raste të diskriminimit në lidhje me punësimin ndaj praktikuesve të besimit islam. Disa zyrtarë të BIK-ut deklaruan se shkalla e nxitjes së ndjenjave anti-myslimane në media u rrit dhe kjo mund të dëmtojë mundësitë e punësimit për myslimanët e devotshëm.

Policia raportoi 61 incidente me motive fetare në nëntë muajt e parë të vitit 2019 që kishin në shënjestër kryesisht tempujt dhe varrezat. Shumë incidente kishin të bënin më përkatësinë etnike por edhe fetare, thuhet në raport, në të cilin përmenden rastet e kërcënimit të një prifti ortodoks në Artanë dhe dëmtimi i varrezave ortodokse në komunën e Lipjanit në dy incidente. Qeveritë lokale dhe ajo qendrore i dënuan rastet duke kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë, thuhet në raport në të cilin përfshihen edhe protestat në Gjakovë kundër vizitave të pelegrinëve serbë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë