Ekonomi

Prokuroria nuk ia “vë veshin” KLSH-së

Sabina Veizaj - Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin më të fundit të tij do të llogariste 1,7 mld euro dëm në buxhetin e 2018-ës.

Që nga abuzimet me kontratat koncesionare, prokurimet publike, fondin e emergjencës, etj.
Sipas KLSH-së, pas çdo raporti nuk ka pasur reflektim, përkundrazi problemet janë rritur këto vitet e fundit. Propozimet për ndëshkimet kanë qenë vetëm administrative ndërsa, Prokuroria nuk është interesuar të hapë çështje.

Sipas raportit të KLSH-së për kontrollin e zbatimit të buxhetit 2016-të, zyrtarët e shtetit dhe nëpunësit publikë i kanë shkaktuar po ashtu, të paktën 534 milionë euro dëme buxhetit në 2 vite e gjysmë. E përkthyer në përqindje kjo shifër është sa 5.3 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Një vit më pas nga foltorja e kuvendit kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj do të raportonte se institucionet dhe nëpunësit i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit për 2017-ën një dëm prej 825.6 mln euro. Ai do ti kërkonte kuvendit të rrisë presionin për zbatimin e rekomanimeve të KLSH-së.

Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së Manjola Naço në përgjigjje të Gazetës “Si” nëse rezultatet e Raportit të Kontrollit të Zbatimit të Buxhetit 2018-të përbëjnë indicie për vepër penale, u përgjigj se “kjo nuk hyn në kompetencat e KLSH-së. Institucioni bën kontrollin dhe ua dorëzon të gjitha institucioneve që kanë lidhje me raportin. Brenda 20 ditësh nga marrja e raportit, institucionet duhet të japin vlerësimet e tyre. Ne ia kemi shpënë raportin edhe Departamentit tonë juridik, i cili e shikon në aspektin ligjor dhe më pas ia shpiem për vlerësim Prokurorisë”

Drejtoresha Naço thotë se KLSH ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e buxhetit dhe të jetë transparent në publikimin e tij.

“Nuk mund të ndërhyjmë tek auditi i Ministrisë së Financave apo institucioneve të tjera, ua kemi lënë titullarëve të merren me raportin sepse nuk duam që të ketë konflikte mes auditit dhe institucionit sepse të dyja palët punojnë për një qëllim”- thotë Naço.

Megjithatë, sqaron ajo, në lidhje me raportin e Kontrollit të Zbatimit të Buxhetit në vitet precedente edhe kur janë identifikuar emra konkretë me shkelje, nuk janë marrë masa.
Prokurorisë, shpjegon ajo, i është dërguar çdo vit Raporti, por nuk ka çelur asnjë çështje.
“Por prokuroria ka kompetenca të interesohet dhe të çelë çështje edhe duke parë lajmet në TV apo duke lexuar në gazetë a faqen e internetit të KLSH-së. Por kjo nuk ka ndodhur deri tani”- shprehet për Gazetën “Si”, Drejtoresha e KLSH-së, Naço.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë