Ana e errët

Prokuroria lejon pijet alkoolike në burgje

I keni parasysh masat e forta në vite, ku pranë detektorëve ndalohej futja në burg e pijeve me ngjyrë? Po policët që nuhasin edhe lëngjet transparente nga frika se mos shishja është raki? Epo... çfarë keni besuar deri më tani se alkooli në burg është i ndaluar, e keni menduar gabim. Një vendim që pushon hetimet mbi një efektiv të paraburgimit 313 lë të kuptohet se alkooli nuk është më diçka e ndaluar dhe se “çunat” e burgut mund të porosisin çfarë të duan. Hetimi i prokurorit Ervin Karanxha ka hedhur poshtë pretendimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat mbrëmjen e ndërrimit të viteve kishin bllokuar shishe me raki e verë, që u tha se ishin porosi direkt dhe për qelinë ku mbahet Emiliano Shullazi.

Grupi i Shullazit, Gazeta "Si", janar 2020

Për këtë ngjarje u kallëzua Egli Pashollari, për të cilën nisi procedimi penal me numër 998 nën pretendimin se po fuste sende të ndaluara, ashtu siç është thënë gjatë këtyre viteve ku mjaft policë janë shkarkuar jo vetëm si bashkëpunëtorë për futje telefonash, droge, por edhe për alkool. Është pikërisht klasifikimi i alkoolit  “i ndaluar” që ka shtyrë të burgosurit të kthehen në shpikës, duke bërë nga qelia raki me mollë të fermentuara apo me rrush që grumbullohet prej tyre.

Pse alkooli nuk është i ndaluar?

Edhe pse për burgjet alkooli përfshihet te sendet e ndaluara dhe çdo tentativë përbën vepër penale sipas Kodit Penal (neni 324 ,a ), për prokurorinë nuk është e njëjta gjë. Aq me tepër kur rakia dhe vera hyjnë në një ambient ku mbahet një personazh shumë i lakuar, i cili ndërkohë gjatë kohës së burgosjes është kthyer edhe besimtar thonë burimet e gazetës “Si”. Në dosjen që Gazeta “Si” disponon, ja si e argumenton prokurori ligjshmërinë e alkoolit të kapur teksa po futej natën e ndërrimit të viteve:

Prokurori: Së pari, nata e Vitit të Ri është festë tradicionale dhe si e tillë duhet të festohet. Në rastin konkret është tentuar të futet alkool për të festuar natën e Vitit të Ri dhe një fakt i tillë nuk përbën vepër penale.

Së dyti, alkooli është kapur nga kontrollorët. Kapja e verës, rakisë ose xhinit tonik në vendin e kontrollit nuk është ambient i brendshëm. Në këto kushte nuk kemi ndonjë vepër penale.

Por, pika më e rëndësishme ka lidhje me argumentin e paligjshmërisë së alkoolit që nga njëra anë konsiderohet i tillë për burgjet, në një kohë që prokuroria kujton dispozita historike në të cilat në Shqipëri alkooli nuk ndalohet.

Prokurori: Së treti, alkooli nuk është send i ndaluar me ligj dhe pirja e tij nuk rrezikon shëndetin. Asnjëherë në territorin e Shqipërisë, duke filluar nga Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 nuk është ndaluar me ligj pirja e alkoolit, aq më tepër për festat e fundvitit. Është konsumuar alkool në çdo kohë, përfshirë edhe kohën e komunizmit.

Prokuroria duke marrë kompetenca si Gjykatë Kushtetuese interpreton edhe ligjin që e konsideron alkoolin të ndaluar, pra dispozitën numër 324, a, duke shtuar se në rastin konkret ligji nuk e ndalon që të pihet ndonjë sasi alkooli për festa apo ditë të shënuara.

E gjitha sa Gazeta “Si” po sjell është arsyetimi i një hetimi që ka zgjatur pak ditë, një hetim që është shtrirë edhe në fushën administrative, pasi prokuroria konkludon edhe se “në rastin konkret nuk konstatojmë edhe ndonjë shkelje tjetër të natyrës administrative, pasi alkooli si rakia, vera dhe xhini tonik janë kapur nga vetë punonjësit e burgut”.

Nuk dihet ende nëse alkooli i sekuestruar do t’u kthehet palëve apo do vazhdojë udhëtimin te të paraburgosurit, përfshi edhe Shullazin, i cili vazhdon sfidën me drejtësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë