Ana e errët

Shullazi, askush s'guxon ta marrë vendin e tij të punës në bibliotekën e burgut

gazetasishullazi

Procesi në Gjykatën e Apelit kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij me Endri Qyqen, Endri Zelën, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin nuk ka nisur ende që prej dhjetorit 2018. Së fundmi, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që të lërë si gjyqtarë të posaçëm në këtë çështje gjyqtarët e Apeleve, Artur Kalaja dhe Etleva Temo, por që pas ngritjes së Gjykatës së Posaçme i kanë humbur këto funksione. Nga ana tjetër, që prej një viti mbas dhjetëra dorëheqjesh, e vetmja gjyqtare që vazhdon të qëndrojë në trupë gjykimi është Albana Boksi.

Megjithatë vetë Emiliano Shullazi nuk është paraqitur në asnjë seancë që pas dënimit që shpalli Shkalla e Parë. Ai humbi edhe punën që bënte pranë bibliotekës së Burgut 313, menjëherë pas shpërthimit të skandalit në burgje, ku rezultoi se një i dënuar i përjetshëm siç ishte Endrit Dokle, kishte përfituar ulje dënimi edhe për punën në burg. Së bashku, me Shullazin shumë të dënuar të tjerë të regjistruar në punë burgu, u hoqën nga lista edhe pse burgjet nuk dhanë asnjë shpjegim se përse të dënuar të kësaj kategorie janë privilegjuar, sa kohë ata nga një angazhim i tillë përfitojnë disa ditë në muaj ulje dënimi. Familjari i një të dënuari tregoi për Gazetën “Si” se “megjithëse i afërmi i tij në një burg në Drenovë kishte aplikuar për punë, qoftë edhe pastrim burgu, kërkesa e tij nuk ishte pranuar”. “Ata kërkojnë para dhe mjafton të kontrollohen të gjitha burgjet, aty kupton se jo kushdo angazhohet në punën e burgut, duhet të kesh miq ose emër në krim”, shtoi më tej i afërmi i të dënuarit, i cili hodhi akuza për sistemin e burgjeve që përherë u japin përparësi të ashtuquajturve "VIP"-a të burgut, të cilët më tej për angazhime të tilla përfitojnë ulje dënimi.

Gazeta “Si” u interesua pranë Paraburgimit 313 për të mësuar se kush e kishte marrë punën në paraburgim të Emiliano Shullazit dhe siç u përgjigj një efektiv burgu: “askush nuk e ka marrë punën në bibliotekë”. “Të paraburgosurit e ruajnë me fanatizëm mitin e Shullazit dhe asnjëri nuk do guxonte të aplikonte për vendin bosh, është një lloj mosinteresimi i pazakontë, por që ne e kuptojmë se me çfarë ka lidhje”, shtoi efektivi i policisë së burgjeve, i cili kujtoi se që kur ka hyrë në Paraburgimin 313 jo vetëm Shullazi, por edhe të tjerë si ai, janë trajtuar me diferencë nga një i paraburgosur i zakonshëm. “Ka raste që këta tipa kryejnë takime të posaçme në palestër”, shtoi burimi i Gazetës “Si”, sipas të cilit e njëjta gjë ndodh edhe me një tjetër të dënuar të njohur si Dritan Dajti, të cilin sërish zyrtarët e burgjeve e trajtojnë me diferencë krahasuar me të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë