Drejtësia

Prokuroria kërkon t’i sekuestrojë pasurinë të akuzuarit për trafik droge

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e 6 pasurive të paluajtshme të Altin Gegës, i cili u arrestua më 27 korrik të vitit 2021 për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Gega u vu në pranga së bashku me 4 të tjerë pasi shpërndanin kokainë duke e fshehur në kuti picash, aktivitet që e zhvillonin në biznesin e Gentian Kores, në rrugën “Kujtim Laro”.

Sipas Prokurorisë, ka dyshime të forta se ky shtetas, ka pasur lidhje me grupe kriminale në Tiranë, i fokusuar kryesisht në shpërndarjen e drogave dhe transportin e mallit e llojit kanabis e kokainë.

"Shtetasi A.G., nga informacionet e marra në rrugë operative, e ka ushtruar këtë aktivitet në fushën e shitjes së kokainës, edhe në shtete të tjera jashtë Shqipërisë, si në Itali, Holandë, por më i fokusuar dhe në mënyrë më intensive në Gjermani”, - thotë Prokuroria.

Paraprakisht nga informacionet e mbledhura në rrugë operative, janë identifikuar pasuritë familjare, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike nga shtetasi A.G. dhe dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria e tij kriminale.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale për llogari të hetimit pasuror me nr. 67 të vitit 2021, si dhe bazuar në ekzistencën e informacionit apo dyshimit të arsyeshëm se pasuritë e paluajtshme të vendosura në pronësi të tij dhe pjestarëve të tjerë të familjes, dyshohen se janë si rezultat i akordeve kriminale të cilët i përmendëm edhe më lart pasi janë të pajustifikuara në raport me të ardhurat dhe fitimet nga veprimtaria e ligjshme”, - vijon njoftimi.

Duke qenë se pasuritë e evidentuara gjatë hetimit të kryer që janë në pronësi të shtetasit A.G., dhe familjareve të tij, kanë rrezik të tjetërsohen, të asgjësohen, të dëmtohen, të transferohen/ transportohen apo çdo rast tjetër që dyshohet se mund të rrezikohet zbatimi i një mase të mundshme sekuestroje, është e domosdoshme që pasuritë e identifikuara në emër të shtetasit të dyshuar: A.G., lindur dhe banues në Tiranë t’i nënshtrohen sekuestros, pasi plotësohen të gjitha kriteret ligjore të analizuara më lart.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë