Ngjarje

Prokuroria kërkoi ekspertë të huaj për vdekjen e 3-vjeçarit në klinikën private, Mjekësia Ligjore: Fyerje e rëndë!

Gazeta Si - Ekspertiza për shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahia ka sjellë një përplasje mes Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Mësohet se organi i akuzës kërkon që të caktojë ekspertë të huaj për të kryer ekspertizë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, i cili ndërroi jetë pas ndërhyrjes dentare në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.

Por Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka reaguar duke e cilësuar këtë kërkesë "një fyerje të rëndë për shkencën dhe mjekësinë".

Sipas Prokurorisë së Tiranës, akti i parë i ekspertizës që u publikua në muajin nëntor 2023 ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë. Sipas ekspertizës së parë, i mituri vdiq nga mbidoza e narkozës, por Prokuroria kërkoi ri-ekspertim.

Po ashtu, prokuroria thotë se mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet. Sipas prokurorisë mjekët specialistë në vendin tonë, janë në konflikt interesi me personat në hetim, përfshirë edhe mjekun Roland Xhaxho.

Në një reagim, ky Institut thekson se “në përfundim të shqyrtimit të të dhënave të përftuara, mjekët ligjorë kanë përpiluar shkakun dhe mekanizmin shkencor të vdekjes”.

“Duke qenë se rasti i vdekjes së fëmijës ishte specifik, në përcaktimin e shkakut dhe mekanizmit të vdekjes krahas dy mjekëve që kryen autopsinë, morën pjesë edhe dy mjekë të tjerë të IML-së, të cilët janë specialistë të anatomisë patologjike. Në përfundim të shqyrtimit të të dhënave të përftuara, mjekët ligjorë kanë përpiluar shkakun dhe mekanizmin shkencor të vdekjes”, thuhet në reagim.

IML thekson se "mjekët ligjorë janë të specializuar dhe të asistuar nga partnerët ndërkombëtarë. Çdo aludim për paaftësi është jo vetëm një përpjekje për të zhbërë punën e këtij institucioni, por dhe një fyerje e rëndë për shkencën e mjekësisë dhe armatën e madhe të mjekëve tanë, që me punën dhe mendimin e tyre shkencor gëzojnë respektin e kolegëve të tyre evropianë dhe më gjerë".

Sipas Mjekësisë Ligjore, "në çdo rast aludimi për konflikt interesi, ligji Procedurial Penal parashikon heqjen dorë nga ekspertimi dhe zëvendësimin e ekspertit. Duke shpresuar që vendimmarrja konkrete të mos jetë mjet për të zhbërë përfundimin ligjor dhe shkencor të arritur në aktin e ekspertimit, ne do të vazhdojmë punën tonë në funksion të dhënies së drejtësisë. Nga ana tjetër, kundërshtojmë çdo akt dhe vendimmarrje që mund të çojë në presionin e mjekëve ligjorë për të", - vijon deklarata.

3-vjeçari humbi jetën në tetor 2023 në Tiranë dhe rasti u publikua në media pas denoncimit të prindërve të tij, të cilët dyshojnë se gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale i është injektuar një dozë e lartë narkoze në klinikën dentare ku e kishin çuar për të rregulluar dhëmbët.

Prindërit e të miturit kanë bërë denoncimin në komisariatin Nr.4 ndaj klinikës dentare, duke akuzuar klinikën private të dentistit Roland Xhaxho, 70 vjeç.

Po ashtu, edhe gjyshi i fëmijës kërkon drejtësi nga shteti, ku akuzon klinikën dentare që mori përsipër mjekimin e nipit të tij."Shteti të vendosë drejtësi, sepse në të kundërt do ta bëjmë vetë drejtësinë…".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë