Drejtësia

Prokuroria e Tiranës bën rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon rikthimin në burg të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka bërë rekurs për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj, duke kërkuar rikthimin e tij në burg dhe ekzekutimin e Gjykatës Speciale të Kosovës për ekstradimin e tij.

I arrestuar për llogari të Gjykatës Speciale në Kosovë, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi lirimin e tij nga qelia në 10 tetor, edhe pse akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Shorti ka caktuar si gjyqtarë që do të shqyrtojë kërkesën në Gjykatën e Lartë Ilir Pandën, teksa ende nuk është caktuar një datë dhe orar për seancën gjyqësore.

Në objektin e rekursit kërkohet pranimi i dhënies se ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe ekzekutimin e Letërporosisë.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues "Arrest në burg" me qëllim ekstradimi. Lejimin e kontrollit personal të shtetasit Dritan Goxhaj, të vendbanimit dhe të vendit të arrestimit të tij, si dhe sekuestrimin e materialeve gjatë kontrollimit të tyre.

Gjithashtu në kërkesë parashtrohet objekti për caktimin e datës dhe vendit të kryerjes së procedurës së ekstradimit si dhe lejimin e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara të Kosovës që të jenë të pranishëm dhe të vëzhgojnë procedurat gjyqësore shqiptare përkatëse në lidhje me zbatimin e kësaj kërkese për bashkëpunim dhe ndihmë.

Ish-luftëtari i UÇK-së u arrestua në korrik të vitit të kaluar, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me qëllim ekstradimin e tij në Hagë.

Por Gjykata e Apelit në kryeqytet ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke refuzuar ekstradimin dhe liruar ish-luftëtarin e UÇK-së.

Gjyqtari Gent Shala vendosi refuzimin e ekstradimit dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi.

Ai akuzohet për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës po heton Goxhajn për intimidim të dëshmitarëve në procesin në Hagë kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë