Janë 1100 prona të ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat nuk është përmbyllur procesi i privatizimit për shkak të mungesës së një ligji dhe mospërputhjeve me legjislacionin ekzistues të një VKM-je të vitit 1998.
Për të zgjidhur këtë ngërç, Ministria e Bujqësisë ka hartuar një projektligj të shkurtër me vetëm 10 nene, që sipas saj, do të përmbyllë këtë proces.
Projektligji përcakton institucionet që përfundojnë procesin e privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore që janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor, si autoritetet publike përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.
Projektligji parashikon që subjektet e interesuara të paraqesin kërkesën për përfundimin e procesit të privatizimit në MBZHR, ku identifikojnë objektin për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit. Ministria brenda 5 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës njofton Agjencinë e Ekstensionit Bujqësor për depozitimin e dokumentacionit.
Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, brenda 10 ditëve kalendarike nga kërkesa, paraqesin dokumentacionin e procesit të privatizimit për objektin, i cili vlerësohet nëse është i rregullt nga struktura përgjegjëse për privatizimin në Ministri.
Miratimin e procedurave dhe dokumentacionit që do të nevojitet për të përfunduar këtë proces, ligji e delegon te Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria, që brenda gjashtë muajve duhet të kenë gati këto akte.
Kontrata e shitjes nënshkruhet nga Titullari i Agjencisë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor në territorin e të cilit ndodhet objekti, pas autorizimit të dhënë nga Ministri përgjegjës për bujqësinë, sipas legjislacionit në fuqi për shitjen e pasurive të paluajtshme.
Për sa i përket numrit, rezultojnë afërsisht 1100 objekte, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i privatizimit, ku mund të jetë një objekt i veçantë apo një pjesë e tij. Kategoritë e tyre janë si më poshtë:
Së pari, ato objekte për të cilët ka përfunduar procesi i vlerësimit, likujdimit dhe pajisjes me kontratë shitje nga ish Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore;
Objekte për të cilët ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe pajisjes me kontratë, por me likujdime të pjesshme ose të papaguara të vlerës së kontratës dhe jo të nënshkruara para noterit;
Së treti Objekte për të cilët ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likujdimi i plotë, por nuk është pajisur me kontratë shitje nga ish – Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore;
Së katërti Objekte për të cilët ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likujdimi i pjesshëm, por nuk është pajisur me kontratë shitje nga ish – Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore;
Së pesti, objekte për të cilat nga ish Drejtoria e Ndërmarrjeve të Braktisura është hartuar një akt– dorëzimi i objekteve, dorëzuar personave privatë dhe për të cilat është bërë një vlerësim sipas akteve në fuqi për privatizimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.