Menaxhim

Ministria e Bujqësisë kërkon privatizimin e objekteve nga ish-ndërmarrjet bujqësore

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) kërkon përfundimin e privatizimit për 1.500 objekte që i përkasin ish ndërmarrjeve bujqësore.

Objektet janë të braktisura ku për një pjesë të tyre rezulton të këtë përfunduar vetëm procesi i likuidimit, për disa dosje të tjera është nënshkruar kontrata e shitjes, por pa formën e kërkuar nga ligji (të lidhura para noterit) apo për disa objekte megjithëse janë kryer pagesat nuk është nënshkruar kontrata e shitjes.

Në projektligjin e publikuar në konsultimet publike Ministria e Bujqësisë kërkon përcaktimin institucionit që do të përfundojnë procesin e privatizimit të objekteve të ish ndërmarrjeve bujqësore. Privatizimi i këtyre objekteve ka nisur bazuar në vendim të qeverisë të miratuar në vitin 1998 që tashmë është shfuqizuar, pasi nuk ishte në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe nuk mund të vijohet me ndryshimin e tij.

Në projektligj janë përcaktuar në vijim Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë si autoritetet publik përgjegjës për zbatimin e këtij ligji dhe për koordinimin e proceseve në bashkëpunim me institucionet e tjera në varësi të saj, me qëllim përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Po në këtë draft parashikohet dhe procedura që do të ndiqet për përfundimin e procesit të privatizimit për këto objekte. Parashikohet se subjektet e interesuara paraqesin në MBZHR kërkesën për përfundimin e procesit, ku kjo e fundit brenda një afati 5 ditor nga momenti i dorëzimit të kërkesës dërgon pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor ose Agjencisë Kombëtarë të Mbrojtjes së Bimëve dhe Veterinarisë, të cilat pas verifikimit të dokumentacionit që ndodhet në arkivat e tyre, realizojnë me kontratë shitje sipas legjislacionit në fuqi për shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Kriteret, dokumentacioni dhe arkëtimi i pagesave të kësteve të mbetura të detyrimeve financiare nga shitja e pasurisë shtetërore të ish ndërmarrjeve bujqësore, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të MBZHR dhe MFE.

Ecuria e 1.500 dosjeve të privatizimit

- Për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit, likuidimit dhe pajisjes me kontratë shitje nga ish Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore – ve sipas VKM-së nr. 161, date 8.4.1993 “Për disa shtesa e ndryshime në VKM nr. 452, datë 17.10.1992” dhe VKM nr.510/1992, por jo të nënshkruara para noterit;

- Për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe pajisjes me kontratë, por me likuidime të pjesshme ose të papaguara të vlerës së kontratës dhe jo të nënshkruara përpara noterit.

- Për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likuidimi i plotë, por nuk është pajisur me kontratë shitje nga ish AQRP të NB-ve.

- Për disa objekte ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja, dhe është kryer likuidimi i pjesshëm, por nuk është pajisur me kontratë shitje nga ish AQRP të NB-ve.

- Për disa objekte nga ish Drejtoria e Ndërmarrjeve të Braktisura është hartuar një akt – dorëzimi i objekteve, dorëzuar personave privatë dhe për të cilat është bërë një vlerësim sipas akteve në fuqi për privatizimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë