Sociale

Projektligji, pension të posaçëm shtetëror edhe për sportistët

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili u shton kategoritë e personave që përfitojnë pensionin e posaçëm shtetëror, nëse kanë kontribut të shquar në shoqëri dhe që kanë bërë emër në karrierën e tyre. Nisma e propozuar nga qeveria, shton sportistët si një kategori e re, për të përfituar pension të posaçëm.

Në propozimin e qeverisë thuhet se: “duke marrë shkas nga rëndësia e sportit dhe e kontributit të dhënë ndër vite nga sportistë elitarë në këtë fushë, propozohet që të drejtën për të përfituar pension të posaçëm ta kenë edhe këta individë. Ndryshimi që propozohet me këtë projektligj shihet si përparësi në motivimin e individëve për gjithëpërfshirjen e tyre në fushën e sportit”.

Sipas nenit 5 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensione të posaçme kanë të drejtë të kërkojnë ata persona, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme, të dokumentuara, në punën e tyre. P.sh. dikush që ka marrë nga Presidenti i Republikës titullin “Mjeshtër i Madh” apo “Nderi i Kombit”; mund të jetë “Artist i Popullit” apo “Artist i Merituar”; mund të jetë i dalluar në fushën si gazetar, si shkrimtar, si mjek, si jurist etj. Në vendin tonë, nga viti 1994 kur u dha për herë të parë pensioni i posaçëm dhe deri sot, pensione të posaçme marrin rreth 470 persona, të cilët u përkasin 40 profesioneve të ndryshme. Shuma e pensionit të posaçëm është 29.000 lekë të rinj në muaj, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë.

Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se dyfishi i pensionit social dhe as më i lartë se katërfishi i tij, shuma e të cilit është 7.262 lekë të rinj në muaj. Shuma e pensionit të posaçëm plus shumën e pensionit e pleqërisë nuk mund ta kalojë shifrën prej 58.000 lekësh të rinj në muaj ose 580 mijë lejë të vjetra në muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë