Futboll

Problemet me Ikardin, Inter ka gati 4 zgjidhje për sulmin

Situata e ish-kapitenit Mauro Ikardi te Inter duket një udhë pa krye. Sulmuesi argjentinas nuk duket i predispozuar për t’u rikthyer në fushë më me fanellën zikaltër nëse nuk i rikthehet fasha e kapitenit. Interi nga ana tjetër nuk mendon që të bëjë pas në vendimmarrjen e tij, duke vendosur kështu një standard. Por kjo çështje është një ”dhimbje e madhe koke” për trajnerin e Interit, Luçiano Spaleti, pasi Ikardi përveçse kapiten në katër vitet e fundit ka qenë edhe shtylla e repartit të sulmit.

Tashmë numri një i pankinës zikaltër do duhet të mendojë një zgjidhje për të mbuluar hapësirën e madhe që ka lënë bosh Ikardi. Në këto 5 ndeshje mungesë të Ikardit, 3 në kampionat dhe 2 në Europa League në majën e sulmit të Interit ka qenë argjentinasi tjetër, Lautaro Martinez. “El Toro” ka bërë mirë, duke vrapuar dhe dhuruar agresivitet në majën e sulmit edhe pse nuk prodhon golat që Ikardi ka bërë në vitet e fundit.

Në këtë situatë Spaleti ka katër mundësi zgjedhje deri në fund të kampionatit. E para, që është përdorur deri më tani është një sulm me Politanon dhe Perisiç nga krahët dhe Martinez në rolin e numrit 9. Me rikthimin e Keita Balde, Inter mund të luaj edhe me skemën 4-3-3, me Perisiç, Ketia dhe Lautaro Martinez të tre në vijë të njëjtë në majën e sulmit. Dy alternativat e tjera vijnë nga akademia. I pari, që këtë sezon po shkëlqen me Inter Primavera, quhet Fakundo Kolidio. Vetëm 18 vjeç cilësohet si e ardhmja e sulmit të Inter dhe nga shumë analistë është vlerësuar si një futbollist me një miks cilësish si në gjetjen e golit, por edhe në ndihmën që jep për ekipin. Ndërsa mundësia tjetër, që është edhe ajo me më pak mundësi, është që të afrohet në ekipin e parë, talenti tjetër Sebastiano Espozito. Ky i fundit bashkë me Kolido janë duke bërë një sezon shumë të mirë me të rinjtë e Inter dhe Spaleti ka shumë besim.

Gjithsesi duke parë këto mundësi në dispozicion, Luçiano Spaleti ende beson dhe dëshiron që të ketë në majën e sulmit, Mauro Ikardin, pasi ndeshjet në vazhdim do të duan edhe eksperiencën e argjentinasit. Interi përveç kampionatit është ende në garë edhe në Europa League, ku në 1/8 do të ndeshet me gjermanët e Eintraktin e Frankfurtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë