Futboll

Probleme me stomakun, Maradona operohet në Argjentinë

Maradona është mirë, e ka kaluar me sukses edhe operacionin e dytë në stomak, është kjo kryefjala e gazetave sportive në Argjentinë mëngjesin e kësaj të diele. “El pibe d’oro” gjatë mbrëmjes së të shtunës iu nënshtrua sërish një operacioni në stomak në një spital në Buenos Aires. Por për fat të mirë çdo gjë ka shkuar mbarë dhe tashmë Maradona është shumë mirë e me shëndet të plotë.

Mësohet se Maradona kishte disa javë që shfaqte probleme me sistemin tretës. Pak ditë më parë mediet në Argjentinë shkruan se ai ishte në gjendje të rëndë, por pas fotove të Maradonës në pagëzimin nipit, u duk sikur çdo gjë u hodh poshtë. Por në të vërtetë problemi ka qenë më i rëndë dhe për Maradonën ka qenë e nevojshme që të kryente një ndërhyrje kriurgjikale. Ndërhyrja nuk ka qenë shumë e rrezikshme dhe Maradona nuk ka qëndruar më shumë se 1 orë në sallën e operacionit.

Sipas asaj që shkruajnë mediet në Itali, ndërhyrja që ka bërë Maradona më shumë ka qenë parandaluese për një përkeqësim në të mëvonshëm. Menaxheri i ish-sulmuesit argjentinas, Stefano Ceci, duke folur për mediet pas operacionit është shprehur se brenda shumë pak kohës, Maradona do të rikthehet të trajnojë. “Një falënderim shumë të madh të gjithë ekipit mjekësor që asistoi në kurimin e Diegos dhe të gjithë fansave që kanë shkruar në këto orë. Tashmë do të hyjmë në fazën e rikuperimit dhe shumë shpejt do të e shikojmë Diego Maradonën në fusha për të stërvitur ekipin e tij Dorados.”- ka thënë Ceci.

Maradona që prej fillimit të këtij sezoni është në krye të pankinës së ekipit meksikan, Dorados, që militon në kategorinë e dytë. Dorados në këto javë ka bërë shumë mirë, duke qenë një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në elitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë