Kombetarja

Probleme aktivizimi, Cikalleshi dhe Sadiku ndërrojnë ekip

Nuk ka qetësi për dy sulmuesit Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku, të cilët i kanë munguar Kombëtares në ndeshjet e fundit, i pari për zgjedhje teknike të trajnerit Panuçi dhe i dyti për shkak dëmtimi. Cikalleshi nuk ka pasur aktivizim të rregullt në Turqi dhe trajneri italian e ka lënë jashtë në Ligën e Kombeve. Kavajasi ka mbyllur tashmë aventurën me Gëztepe, ku kaloi në formë huazimi nga Osmalispori verën e kaluar.

Futbollisti 28-vjeçar është kthyer te Osmanlispori, që këtë sezon luan në ligën e parë turke. Mbylljen e bashkëpunimit me Gëztepe e ka konfirmuar vetë klubi me një deklaratë zyrtare. Sulmuesi shqiptar nuk arriti të shënonte asnjë gol me Gëztepe në kampionat, ku aktivizimin e kishte të paktë, ndërsa në Kupën e Turqisë ka shënuar disa gola. Për pjesën e mbetur të këtij sezoni, kavajasi është i detyruar të luajë me Osmanlisporin, sepse e ka kryer një lëvizje me huazimin te Gëztepe dhe nuk mund të kalojë në një skuadër tjetër. Në ligën e parë turke Cikalleshi mund të luajë më shumë dhe nëse do të jetë në formën e duhur, trajneri Panuçi do ta grumbullojë për eliminatoret e Europianit. Në Turqi sulmuesi ka luajtur edhe me skuadra si Bashakshehir dhe Akhisarspor.

Sokol Cikalleshi, kur prezantohej te Osmanlispori

Situata e Armando Sadikut ndryshon, pasi sulmuesi elbasanas sapo ka lënë pas dëmtimin në gju që e mbajti larg fushave për një kohë të gjatë. Në këto kushte, ai nuk mund të ketë hapësira te Levante dhe pritet huazimi te Lugano në Zvicër, ku Sadiku ka shkëlqyer vite më parë. Lugano ka nevojë për një sulmues dhe Sadiku e njeh shumë mirë këtë ekip, ku pritet të aktivizohet deri në fund të sezonit. Lajmi për kalimin e sulmuesit 27-vjeçar në Zvicër është publikuar edhe në prestigjiozen “Marca” në Spanjë.

Levante nuk dëshiron ta largojë Sadikun, të cilin e konsideron një lojtar të rëndësishëm, por dëshiron t’i japë mundësinë të luajë rregullisht për të kapur formën optimale dhe këtë gjë mund të bëjë shumë mirë për 6 muajt e ardhshëm me ish-ekipin e tij. Dëmtimi në ligamentet e gjurit e detyroi sulmuesin që shënoi golin e vetëm në Europianin e Francës t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. Ai ka nisur stërvitjen dhe ditët e fundit ka kaluar me sukses edhe vizitat mjekësore, ku ishte i pranishëm edhe stafi mjekësor i Luganos, çka do të thotë se rikthimi i Sadikut në Zvicër është formalitet.

Armando Sadiku, kur luante me Luganon

Kombëtarja ka nevojë për Sadikun dhe Cikalleshin, por të dy duhet të jenë në gjendje të mirë fizike, gjë që arrihet me një aktivizim të rregullt me klubet përkatëse. Në ndeshjet e fundit, trajneri Kristian Panuçi i ka besuar Bekim Balajt dhe Rei Manajt nga sulmuesit me përvojë, ndërkohë që është grumbulluar edhe i riu Xhakomo Vrioni. Kuqezinjtë luajnë zakonisht me një sulmues qendre, i cili mbështetet nga sulmuesit anësorë Grezda dhe Uzuni.

Cikalleshi, Sadiku dhe Memushaj gjatë një seance stërvitore me Kombëtaren


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë