Gazeta Si – Për rreth 3 orë e gjysmë, kreu i grupit Parlamentar socialist taulant Balla ka dëshmuar si person në dijeni për privatizimin e dyshimtë të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Deputeti socialist tha se në Prokurorinë e Posaçme u thirr si person që ka dijeni për hetimet, ndërsa shtoi se u ka dhënë fjalën hetuesve të BKH-së që çështjet mbeten pjesë e sekretit hetimor.
“Unë kam qenë shpesh këtu për të depozituar kallëzime penale si person që kam dijeni. Besoj e shpresoj që SPAK do i shkojnë fund akuzave. Kam bërë kallëzim edhe për çështjen e kompanisë OSSH”.
Balla bëri po ashtu të ditur se ditën të enjten, 8 qershor, do të jetë sërish prezent në SPAK për padinë ndaj Sali Berishës.
“Unë do jem sërish këtu nesër për një padi penale në ngarkim të Berishës. Në momentin që ndaj teje ngrihet një akuzë, duhet t’a adresosh. Dua t’i qëndroj angazhimit që për çështjet që diskutova të mbeten sekret. Unë shpresoj të ketë zhvillime për privatizimin e kompleksit të Partizanit”, – thotë Balla.
Ndërsa, i pyetur për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Balla tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të kreut të qeverisë Edi Rama.
“Kryeministri ka qenë shumë i qartë. Unë sot dua që t’i kërkoj drejtësisë së re, që edhe këto çështje për të cilat unë vij shpesh këtu, një ditë të mbyllen,” deklaroi Balla.
Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme dhe po e heton për pastrim parash.
Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.
Balla pretendon se këta persona kanë shitur me një vlerë mjjaft të ulët sipërfaqen e tokës në Kompleksin “Partizani”, me qëllim që të përfitonte JamArbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Berisha.
Kjo nuk është hera e parë që Balla paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Ai herë pas here, edhe pse fillimisht ka depozituar një kallëzim në lidhje me këtë aferë, u ka vënë në dispozicion prokurorëve edhe fakte të reja shtesë. Sipas kallëzimit të zyrtarit të lartë të PS, janë disa zyrtarë të përfshirë.
Më herët, janë thirrur për kët çështje në SPAK, ish-ministri Fatmir Mediu, ushtarakë dhe ish-shefi i kluvit sportiv “Partizani”, Isa Tare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.