Moti

Pritet riaktivizim i ciklonit në Tiranë por më e keqja kaloi. Jugu në rrezik. E shtuna sjell stuhinë ‘Domingos’

Nga Gazeta ‘Si’-Rreziku më i madh i ciklonit “Ciaran” që goditi sot Shqipërinë dhe veçanërisht Tiranën ka kaluar. Megjithatë, pritet sërish një aktivizim i tij në orën 23:00 të mbrëmjes por me intensitet më të lehtë pasi kulmi ishte mesditën e sotme.

Sipas meteorologëve që kontaktuan me Gazetasi.al, qendra e ciklonit po zbret në jug dhe në juglindje. Në bregdet priten erëra të forta dhe dallgë të mëdha.

Domingos, stuhia e radhës

Nga e shtuna e në vazhdim do të nisë të ndihet efekti i Domingos, stuhisë së katërt të sezonit. Ajo do të qarkullojë mes Gadishullit Iberik dhe Ishujve Britanikë dhe efektet do të ndihen veçanërisht të shtunën në formën e erës.

Domingos do të shkaktojë gjithashtu një valëzim të konsiderueshëm të detit, me valë që mund të arrijnë  katër ose pesë metra në Mesdhe.

Domingos do të largohet të dielën, por do të vazhdojë të bjerë shi. Era do të vazhdojë të fryjë por jo aq e fortë sa të shtunën. Washington Post shkruan se stuhia “Domingos” pritet të godasë më shumë Spanjën veriore dhe Francën perëndimore.

Prej datës 1 nëntor, Franca dhe Italia kanë pasur prani të ciklonit "Ciaran", ku qytete të mëdha janë përmbytur.

Në Itali ndërkohë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të motit të keq.

Më shumë se 200 fluturime u anuluan në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, një qendër e rëndësishme evropiane e trafikut ajror.

Shërbimet ajrore, hekurudhore dhe tragetet kanë anuluar fluturime dhe kanë regjistruar vonesa të gjata në disa vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë