Kosova

Prishtina shkon në balotazh, zgjedhjet i fitoi…bojkoti

Prishtina dhe komunat më të mëdha të Kosovës do të shkojnë drejt balotazhit, të paktën sipas parashikimeve të exit-polleve të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00.

Sipas këtyre parashikimeve, Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Gjilani, do ta mësojnë kryetarin e ri të Komunës vetëm pas balotazhit. Në tre komunat e para kryesojnë kandidatët e Vetëvendosjes, ndërsa në Gjilan kandidati i LDK-së.

Vetëvendosje kryeson në Prishtinë me rreth 43 për qind të votave me kandidatin e saj, Arben Vitia, ish-ministër i Shëndetësisë i dorëhequr për të kandiduar për këtë post. I dyti me rreth 28 për qind të votave renditet kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

PDK duket se ka të siguruar vetëm kryetarin e Komunës së Mitrovicës, ndërsa në pjesën tjetër të vendit rezultatet, sipas exit poll-eve nuk janë premtuese për këtë parti.

Në rang kombëtar, sipas exit poll-eve, Vetëvendosje kryeson, ndërkohë që pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 43 për qind sipas shifrave të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Analistët thonë se pjesëmarrja e ulët favorizon Lëvizjen Vetëvendosje, që në sondazhet parazgjedhore dilte me rënie në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë.

Ndërkohë, Washington Post i ka kushtuar një artikull këtyre zgjedhjeve duke vënë theksin te beteja që zhvillohet për Prishtinën. Votimi në veri, ku jeton shumica e serbëve të Kosovës gjithashtu tërhoqi shumë vëmendje, pas dy incidenteve në dy muajt e fundit, që kanë çuar në rritjen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.

Nga komuniteti serb, Goran Rakiç u bëri thirrje serbëve një ditë më parë që të dalin të votojnë masivisht këtë të diel, por kërcënoi autoritetet e Prishtinës se nëse bisedimet për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë brenda muajit nëntor, serbët do të dalin nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Udhëheqësit serbë në veri të Mitrovicës, përfshirë personat që njihen si të punësuar në strukturat paralele të ngritura nga Beogradi në këtë pjesë të Kosovës dolën të votojnë në grupe, duke përsëritur edhe njëherë tjetër shkeljet e Kodit Zgjedhor.

Lista Serbe është forca e vetme që mbështetet nga Serbia. Në zgjedhjet e fundit vendore ajo fitoi 10 komuna me shumicë serbe, katër prej të cilave në veri të Kosovës. Rezultatin parashikohet që ta përsërisë edhe në këto zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë