Kosova

Prishtina jep 50 euro për çdo të infektuar me koronavirus

Prishtina ka miratuar sot një vendim për të ndihmuar financiarisht të infektuarit me koronavirus. Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, njoftoi se çdo banor i kryeqytetit që është konfirmuar pozitiv në koronavirus do të marrë një ndihmë prej 50 eurosh, ndërsa për pensionistët që dalin pozitiv në koronavirus, kjo shumë do të jetë 100 euro.

Sipas Ahmetit, komuna do të ndihmojë edhe me ilaçe të cilat po përdoren për trajtimin e të sëmuarve me COVID-19.

“Kam udhëzuar drejtorin e Shëndetësisë që të fillojë procedurat e prokurimit të shpejtë për një sërë ilacësh që mjekët po i japin për COVID-19, e që nuk janë të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor. Këto barna do të mbulojnë rreth 8.000 pacientë me simptoma më të rënduar, pa paguar privatisht”, ka shkruar Ahmeti.

Që nga fillimi i pandemisë, Prishtina ka qenë qyteti që ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus, në baza ditore.

Të mërkurën, nga 704 raste të reja me koronavirus në Kosovë, 271 janë regjistruar në Prishtinë.

Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur edhe nëntë pacientë dhe 391 janë shëruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë