Shendet

Prindër vaksinoni fëmijët! Europa po përballet me tmerrin e kollës së mirë

Rastet e një sëmundjeje viktoriane janë në rritje tek fëmijët në Britaninë e Madhe dhe kjo ka shqetësuar në masë mjekët dhe ekspertët.

Kolla e mirë ka vrarë tashmë disa foshnje në Europë dhe ka të ngjarë të përkeqësohet pasi ka një rënie drastike të vaksinimit, sipas ekspertëve të shëndetit publik.

E njohur dhe si "kolla 100-ditore", kolla e mirë është një sëmundje e mushkërive që prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël, duke rezultuar potencialisht në pneumoni dhe dëmtim të trurit. Tani të dhënat e ndara nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) këtë javë zbulojnë se rastet në Angli pothuajse u dyfishuan në shkurt nga muaji i kaluar.

Sipas shifrave, ka pasur 913 raste të reja të sëmundjes në shkurt, më shumë se 858 gjatë vitit 2023 në përgjithësi dhe një rritje e madhe nga 555 raste të regjistruara një muaj më parë. UKHSA tha gjithashtu se 52 raste në janar dhe shkurt ishin te foshnjat e moshës tre muajsh e poshtë, të cilët janë më të rrezikuar nga vdekja nga sëmundja.

Të enjten, dy persona vdiqën në Greqi për shkak të kollës së mirë.

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik të Greqisë konfirmoi se sëmundja kishte shkaktuar dy vdekje, me 32 nga 54 raste të sëmundjes të regjistruara në fëmijë dhe adoleshentë.

Rritja e rasteve të kollës së mirë vjen si pasojë e një rënieje në vaksinimin që mbron foshnjat.

Sipas mjekëve, shpërthimi ka të ngjarë të përkeqësohet pasi të dhënat tregojnë se katër foshnja vdiqën nga sëmundja në Holandë, në shkurt dhe mars. Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik ka thënë se rastet e sëmundjes kanë arritur midis 200 dhe 300 në javë në vend, raporton Financial Times.

Helen Bedford, pedagoge e shëndetit të fëmijëve në University College London, përmendi shqetësimet në lidhje me efektin e vaksinës Covid tek gratë shtatzëna si një nga arsyet pse janë shtuar rastet.

“Vlerësimi im është se shumë pyetje që u ngritën në lidhje me vaksinën Covid janë transferuar në vaksina të tjera. Kishte kaq shumë diskutime gjatë pandemisë dhe disa prej tyre i kanë bërë njerëzit shumë më të dyshimtë”, tha ajo.

Dr Mary Ramsay, Drejtore e Programeve të Shëndetit Publik në UKHSA, tha se kolla e mirë mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave, por për foshnjat shumë të vogla, mund të jetë veçanërisht serioze. Vaksinimi për kollën e mirë në shtatzëni është një mënyrë shumë efektive për të mbrojtur fëmijën në muajt e parë pas lindjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë