Inteligjenca Artificiale

Prifti predikon në kishë duke cituar atë që ChatGPT mendon për besimin

Prej muajsh inteligjenca artificiale ka arritur një revolucion, duke u krijuar edhe programi që mendohet se do zëvendësojë njerëzit në sektore të ndryshme pune.

ChatGPT është bërë edhe pjesë e një të diele të zakonshme në një kishë në Hungari.

Në vendin lindor, një prift i qytezës së Domos me rreth 1200 banorë, mendoi të përdorte pikërisht Chat GPT për të shkruar predikimin e tij të së dielës.

Sipas Viktor Csanadi, priftit në fjalë, rezultati ishte befasues. Besimtarët e pranishëm në kishë dëgjuan tekstin e shkruar nga aplikacioni, që trajtonte faktin se çdonjëri mund të jetë ndërmjetës me Zotin, pa dyshuar që ”ndërmjetësuesi“ në fjalë atë ditë nuk ishte prifti, por thjesht një algoritëm i ndërlikuar.

“Kurioziteti im më shtyu ta provoja vetë. Dhe pasi ai formuloi përgjigje mjaft logjike për pyetjet e besimit, vendosa ta përdor atë për një qëllim ilustrues në të ardhmen time. Kështu predikova duke përdorur atë që ChatGPT më kishte thënë”, tregon prifti.

Sipas tij, mesazhi i predikimit të së dielës u kuptua mirë nga të gjithë në kishë dhe në përgjithësi nga ata që ndoqën regjistrimin e predikimit të vënë në dispozicion online.

"Kam marrë shumë reagime pozitive. Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe shumë sinjale negative. Shumë priftë më thanë se unë po përhap idenë se inteligjenca artificiale mund të bëjë punën e një prifti”.

Kishte nga ata që mendonin se ishte mëkat në vetvete të lexosh një tekst të shkruar nga një makinë në një kishë dhe disa njerëz thanë se Zoti thjesht nuk mund të komunikojë përmes një strukture të krijuar nga njeriu.

“Nuk e di nëse inteligjenca artificiale do të zëvendësojë punën e priftit. Do të duhet të përgjigjeshim me një jo të madhe, por tashmë nuk jam shumë i sigurt”, deklaroi prifti për mediat lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë