Kombetarja

Prezantimi ndryshe i trajnerit Reja dhe dilema e madhe e skemës

Prezantimi i trajnerit të ri të Shqipërisë, Edi Reja, u duk ndryshe nga ai italianëve të tjerë dhe la një shije pozitive në fund. 73-vjeçari ishte simpatik në konferencën për shtyp, i drejtpërdrejtë në përgjigjet e tij, pa diplomaci të panevojshme dhe pa “furça”. Thjesht, komunikues. Ishte një konferencë shtypi nga më origjinalet ajo e Edi Rejas, e pandikuar nga prania e presidentit të FSHF-së. Si një trajner me shumë përvojë, Edi Reja e kupton mjaft mirë situatën aktuale te Shqipëria dhe ishte shumë i matur në fjalët e tij. Me këmbë në tokë, nuk premtoi asgjë pa “prekur” ende ekipin me duar, për arrogancë as që bëhet fjalë, nuk ia lejon mosha.

Shumë i qartë në çdo pikë që u prek gjatë konferencës për shtyp dhe njëkohësisht shumë i informuar. Kuptohej qartë nga përgjigjet. Italiani e di mirë se çfarë force ka Shqipëria, çfarë duhet të bëjë për të rregulluar defektet në lojë dhe mbi të gjitha për të forcuar frymën e grupit dhe për t’i bërë futbollistët të sakrifikojnë për fanellën, duke e parë si të vetmen mënyrë për të arritur suksesin. Reja nuk tentoi t’i devijonte asnjë pyetjeje me “spec”, duke dhënë versionin e tij për çdo temë. E gjitha kjo bëri që edhe fjalia e tij se “ana ekonomike është në plan të dytë” të dukej e sinqertë. Sigurisht, mosha dhe karriera e tij e pasur ia imponojnë shumë gjëra. Ai nuk mund t’ia lejojë vetes një aventurë sa për të kaluar radhën në fundin e karrierës, ishte e kuptueshme, ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse ai u mendua gjatë për të marrë drejtimin e Shqipërisë dhe për të mos firmosur një kontratë afatgjatë.

Presidenti i FSHF-së, Duka, dhe trajneri Edi Reja gjatë prezantimit

Për një kohë të shkurtër trajneri Reja bëri të qarta shumë gjëra edhe në anën tekniko-taktike, çka do të thotë se ka njohuri të mjaftueshme për situatën. Foli për Tomas Strakoshën dhe për Ermir Lenjanin, për disiplinën dhe skemën e lojës së kuqezinjve me të në stol. Trajneri i ri kuqezi la të kuptohej se Shqipëria ka nevojë për ata dy lojtarë dhe se janë në planet e tij. Për disiplinën u tregua disi elastik, siç e pranon realiteti shqiptar, për të cilin duket se duhet të jetë mirinformuar mirë. Reja pranoi se ndonjë vonesë e vogël, që nuk cënon atmosferën në ekip, mund të falet me miratimin e grupit të futbollistëve dhe jo vetëm të tij. Pra, kërkon disiplinë në ekip, por pa kaluar në kapriço si paraardhësi i tij.

Për skemën e lojës së Shqipërisë, trajneri italian pranoi se i pëlqen skema me tre mbrojtës, që e ka përdorur thuajse gjatë gjithë karrierës së tij. Tha se do ta marrë në konsideratë këtë skemë, por theksoi gjithashtu se gjithçka varet nga karakteristikat e lojtarëve që ka në dispozicion. Elastik edhe në këtë pjesë. Skema e preferuar e Rejas, ajo me tre mbrojtës, krijon probleme për kapitenin Hysaj, i cili nuk mund të rreshtohet në treshen e prapavijës. Por, a mund të qëndrojë Hysaj jashtë formacionit? Sigurisht që jo, është nga më të mirët që kemi. Po ashtu, nëse luhet me 3 mbrojtës, do të luhet me 4 mesfushorë, 2 sulmues anësorë dhe 1 sulmues qendre. Skema 3-5-2 ka shumë pak shanse, sepse Shqipëria nuk është nga ato skuadra që luajnë me dy sulmues të mirëfilltë. Kontigjenti aktual i kuqezinjve, me siguri do të bëjë që edhe Reja të bazohet te një 4-3-3.

Cilët mund të jenë titullarët? Në portë me siguri do të jetë Strakosha, të cilin Reja e njeh që fëmijë. Hysaj në të djathtë të mbrojtjes, Ismajli dhe Gjimshiti në qendër, ndërsa krahu i majtë mbetet sërish i hapur, ndoshta me Binakun me me shumë shanse për të qenë titullar. Në mesfushë të sigurt mund të konsiderohen Abrashi dhe Xhaka, pasi trajneri italian kërkon një ekip agresiv dhe këta dy lojtarë janë të kësaj natyre. Mesfushori i tretë mund të jetë njëri mes Ndojt dhe Memushajt, të cilët trajneri ka mundësinë t’i shohë më shumë nga afër, duke qenë se luajnë në Serinë B. Për sulmuesit anësorë, Grezda dhe Uzuni mbeten alternativat kryesore, por me rikthimin e Roshit situata mund të ndryshojë. Për sulmuesin e qendrës, i favorizuar është sërish Armando Sadiku. Mbetet për t’u parë, nëse disa lojtarë të grumbulluar nga Panuçi do të jenë më në listë apo jo. Fjala është për lojtarë si Qaka, Balliu, Demiri, Kaja, Guri, Abazaj, Qose etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë