Kombetarja

Prestigjiozja “As” i thur elozhe, Keidi Bare ia delegon ekipit

Keidi Bare po kthehet në formën e tij më të mirë. Mesfushori i Kombëtares ka treguar nivel të lartë në ndeshjet e fundit të Espanjolit, duke marrë vëmendjen e prestigjiozes spanjolle “As”, që e konsideron një pikë kyçe të ekipit. Futbollisti fierak gjithsesi shfaqet modest dhe thekson se gjithçka është meritë e ekipit dhe jo e tij.

“Unë lojtar i rëndësishëm? Të gjithë janë të rëndësishëm në ekip. Dua ta falënderoj ekipin, sepse po më ndihmon shumë. Pa shokët dhe stafin nuk do të isha asgjë. Po luaj rregullisht dhe po jap maksimumin, por të gjithë janë të rëndësishëm në skuadrën tonë. Duhet të vazhdojmë në këtë linjë, Liga e Dytë nuk është e lehtë. Kampionati është i komplikuar dhe çdo skuadër mund të të dëmtojë. Vazhdojmë të punojmë për të qenë në krye me dëshirë, ambicie dhe përulësi”, - ka thënë Bare.

Bare feston një fitore me ekipin. Gazeta Si, 29 dhjetor 2020

Titullari i formacionit të trajnerit Edi Reja hasi vështirësi tek Espanjoli në fillim për shkak të dëmtimeve, por tani duket në top-formë. “Ndihem shumë mirë në skuadër dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. E kisha pak të vështirë në fillim, sepse kur ndërron skuadër nuk ke të njëjtën formë si më parë. Pastaj u dëmtova dhe qëndrova jashtë për një muaj, u stërvita fort dhe tani jam në formë“, - shton Bare.

Espanjoli, pas 5 fitoreve radhazi, udhëheq kampionatin me 42 pikë, i ndjekur nga Majorka me 1 pikë më pak. Mesfushori kuqezi ka besim se do të ngjitet në La Liga me skuadrën e tij. “E di që Espanjoli është një klub shumë i madh, me shumë histori dhe një tifozëri të shkëqlyer. Më kanë pritur shumë mirë. Objektivi ynë është të ngjitemi në La Liga dhe besoj se do t’ia dalim”, - është shprehur në fund futbollisti fierak, Keidi Bare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë