Politike

Presidentja e KE kritikon vendet e BE: Panë interesat e veta në momentin kur Europa duhej të kujdesej për të gjithë

Presidentja e Komisionit Europian kritikoi ashpër vendet anëtare të BE-së, që u mbyllën në krizën e koronavirusit duke bllokuar jo vetëm ndihmat, por edhe shitjen e materialeve mjekësore tek vendet e prekura më fort, si në rastin e Italisë.

Në një fjalim pasionant para sallës thuajse bosh të Parlamentit Europian, Ursula von der Leyen tha se shtetet ndaluan eksportimin e pajisjve mjekësore tek shtete të tjera, duke hequr dorë nga një përgjigje mbarëeuropiane kundër virusit dhe duke u mbyllur brenda kufijve të tyre.

“Panë interesat e veta në momentin kur Europa duhej të kujdesej për të gjithë ne. Historia do të na gjykojë për këtë moment”, deklaroi ajo.

Presidentja e KE-së u shfaq e bindur se nëse do të kishte një përgjigje të koordinuar mbarëeuropiane ndaj koronavirusit, mangësitë në tregun italian dhe atë spanjoll për respiratorë, maska dhe produkte të tjera mbrojtëse ndaj koronavirusit nuk do të ekzistonin.

Pandeminë, Von der Leyen e cilësoi si një moment kritik për Bashkimin Europian, që mund të përcaktojë edhe vetë ekzistencën e unionit në të ardhmen.

“Ajo çfarë bëjmë sot ka rëndësi! Nga ajo se çfarë bëjmë ne sot, çfarë vendosim ne sot përcaktohet e ardhmja e BE-së. Kjo duhet të jetë Europa që vepron për qytetarët dhe shtetet anëtare të saj! Duhet të jetë Europa që në kohë emergjencash nuk tregohet egoiste”, deklaroi ajo.

Parlamenti Europian diskutoi këtë të enjte krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe masat që duhen marrë në të gjitha fushat. Gjatë diskutimeve eurodeputetët kërkuan më shumë bashkëpunim dhe një koordinim më të fortë për masat ekonomike dhe sociale lehtësuese në këtë periudhë të vështirë për qytetarët.

Megjithatë, ndasitë nuk munguan. Eurodeputetë italianë, spanjollë dhe nga vendet e Europës Lindore kritikuan tërthorazi qëndrimet e Gjermanisë dhe Francës, si apatike dhe egoiste dhe që u mbyllën duke e trajtuar problemin brenda kufijve të tyre. duke harruar se virusi nuk njeh kufij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë