Sociale

Presidenti që “tallej” me koronavirusin rezulton pozitiv

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai ka kryer testin e katërt ditën e hënë pasi shfaqjes së simptomave, përfshirë edhe temperaturën e lartë. Bolsonaro ka minimizuar rrezikun e Covid-19, duke e cilësuar atë një ‘grip të lehtë’, si dhe ka refuzuar izolimin e vendit duke deklaruar se kjo dëmton ekonominë.

Bolsonaro njoftoi se është pozitiv gjatë së martë në një intervistë televizive. Ai tha se temperatura ishte “zbutur” dhe se tani ndjehej shumë mirë. Presidenti brazilian sqaroi se simptomat e para iu shfaqën ditën e diel, si temperaturë, kollë të thatë dhe lodhje.

“Të hënën u ndjeva shumë më keq dhe u detyrova që të kryej testin”, tha Bolsonaro.

Bolsonaro është bërë i famshëm me deklaratat kontradiktore për virusin. “Me aq sa kam parë deri më tani ka disa gripe të tjera që kanë vrarë më shumë njerëz se sa ky (koronavirusi”, deklaronte ai më 11 mars.

“Sot kemi një informacion, se për shkak se ne kemi një klimë tropikale, jemi thuajse në fund të paandemisë, për të mos thënë që ajo u mbyll. Virusi nuk përhapet aq shpejt në klima të ngrohta si e jona”, deklaronte ai më 18 mars.

“I mbijetova një sulmi me thikë, nuk kam për të vdekur nga një grip i lehtë”, shprehej ai më 20 mars.

Presidenti brazilian deklaroi se po merrte hidroksiklorokinën, një ilaç i këshilluar edhe nga Presidenti Donald Trump, si dhe azitromicinë, një antibiotik. Asnjëra prej të dyja ilaçeve nuk është provuar se është efikase.

Brazili është vendi i dytë në botë (pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës) me më shumë të infektuar dhe viktima nga Covid-19, me mbi 1.6 mln të infektuar dhe rreth 66 mijë të vdekur.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë