Futboll

Presidenti kolonel ‘motivon’ Guinenë: Dua Kupën e Afrikës, ndryshe do ta paguani!

Nuk jemi në kohët e Mobutu Sese Seko, ish-diktator i Zaires, që në Botërorin e Gjermanisë 1974 kërcënoi me vdekje lojtarët e kombëtares pas humbjeve 3-0 kundër Brazilit dhe 9-0 kundër Jugosllavisë. Por, kolonel Mamadi Doumbouya, ish-legjionar i ushtrisë franceze dhe president i përkohshëm i Guinesë prej 1 tetorit, pasi drejtoi më parë grushtin e shtetit kundër Alpha Condé, nuk e njeh aspak diplomacinë për të “nxitur” kombëtaren para Kupës së Afrikës, që nis më 9 janar në Kamerun.

“Fitoni kupën, në të kundërt do të na ktheni gjithë paratë që kemi investuar për ju”, - ka theksuar Doumbouya në takimin me futbollistët. Është një situatë e kundërt me atë që ndodh shpesh me skuadrat afrikane, që në aktivitete të tilla të mëdha kërcënojnë federatën se nuk do të zbresin në fushë, nëse nuk marrin shpërblimet e parashikuara.

Doumbouya, gjatë një ceremonie madhështore në kryeqytet ka dashur t’i motivojë lojtarët para nisjes për në Yaoundé, por mesazhi ishte paksa intimidues. Pak pasi mori fuqinë, presidenti vuri menjëherë dorë në kombëtare, duke pushuar në vend trajnerin francez Didier Six, për t’ia besuar stolin një ish-lojtari vendës, Kaba Diavara.

“Npërmjet jush duhet të ndjejmë madhështinë e popullit të Guinesë, të zbulojmë dinjitetin dhe kurajën e këtij populli, - ka dhënë presidenti. – Po ju besoj flamurin në këtë ditë solemne, nderojeni dhe ngrijeni lart. Është një privileëgj, që nuk e kanë të gjithë. Vendi ka derdhur gjak këtë vit për t’u krijuar kushtet e duhura.

Populli i Guinesë ju mbështet si një trup i vetëm, sepse jeni simbol i bashkimit dhe solidaritetit. Duhet disiplinë çdo moment. Dua që kupa të vijë Guine, luftoni si ushtarë, deri në vdekje për të shpëtuar atdheun dhe kombin. Shkoni, unë do të ndjek të gjitha ndeshjet tuaja dhe do të jemi 13 milionë guineanë që ju ndjekim”. Guinea bën pjesë në grupin B, bashkë me Senegalin, Zimbabven dhe Malauin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë