Analize

Presidenti i peshëngritjes Elez Gjoza, si kumbar i dopingut

Nga Gazeta Si – ‘Bravo për medaljen, por më mirë le të presim si dalin analizat!’ – do të thoshte një personazh i njohur i sportit disa vite më parë, kur po i referohej suksesit të një prej shtangistëve tanë. Kjo shprehje si një batutë jo fort rastësore atëherë tani është një paralajmërim real për atë se çfarë po ndodh me peshëngritjen shqiptare, mes medaljeve dhe dopingut.

E shkuara u përsërit me daljen pozitive të Evangjeli Velit, e shpallur kampione Europe në Tiranë vetëm pak muaj më parë.

Elez Gjoza, president i FSHP-së. Gazeta Si, 25 gusht 2022

Skandali vazhdon me dyshimet për një komplot grek nga ana e presidentit të Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe me akuzat për këtë të fundit nga vetë sportistja. Veli e akuzon direkt Gjozën si gënjeshtar, madje dhe racist.

Presidenti i FSHP-së Elez Gjoza është kontestuar thuajse gjithmonë nga komunitetit sportiv, edhe nga vetë sportistë dhe trajnerët për raste e dopingut.

Mund të jetë fati i tij i keq, sepse çdo sportist ka përgjegjësi individuale, por fakt është se në kohën e presidencës së Gjozës rezultojnë të dopuar 14 shtangistë. Një numër jo i vogël dhe që ngre dyshime.
Elez Gjoza ka një karrierë të miksuar politike dhe sportive.

Disa vite me parë ka drejtuar njësinë administrative numër 2 në kryeqytet. Në atë kohë ishte pjesë e LSI-së si forcë politike, ndërsa në vitin 2020 vendosi të kalojë te PS. Po atë vit u rikthye si president i FSHP-së, ndoshta edhe me ndikimin e politikës.

Elez Gjoza, kur ishte pjesë e LSI-së. Gazeta Si, 25 gusht 2022

Gjoza është akuzuar politikisht për regjistrim fiktiv të votuesve, apo për një 'kontrabandë arkivolësh'.
Përveç lidhjes me politikën, Gjoza ka një lidhje shumë të diskutuar edhe me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Ai është në krye të këtij institucioni për herë të dytë. Për herë të parë u zgjodh në krye të FSHP-së në vitin 2012, për të dhënë dorëheqjen në vitin 2018.

Ishte një dorëheqje e detyruar në atë kohë, pasi shpërtheu skandali i dopingut në peshëngritjen shqiptare në Botërorin e Kazakistanit. Daniel Godelli, Romela Begaj dhe Hysen Pulaku dolën pozitivë.

Në 6 vitet që Elez Gjoza drejtoi peshëngritjen shqiptare pati 12 raste dopingu, mes tyre edhe emrat më të njohur, si Romela Begaj, Briken Calja dhe Daniel Godelli, por edhe Evangjeli Veli, protagoniste e momentit.

Pika kulmore e kontestimeve ndaj Elez Gjozës lidhet me rikthimin e tij, në 2020-ën. Që para zgjedhjeve pati akuza të forta ndaj tij. Leonard Toska, trajneri aktual i Shtërmenit dhe i kampionit të Europës për të rinj Ertjan Kofsha, ishte njeriu që ngriti më shumë zërin kundër rikthimit të Gjozës.

Leonard Toska, trajner peshëngritje. Gazeta Si, 25 gusht 2022

"Gjoza e ka drejtuar FSHP-në, kur dolën 12 peshëngritës me doping. Kjo është plagë të madhe në FSHP. Problemi nuk është vetëm dopingu, ai e zhyti federatën në borxhe. Gjoza e ka shkatërruar këtë sport”, - shprehej Toska para zgjedhjeve të 2020-ës.

Kundër Elez Gjozës ka dalë hapur edhe një tjetër trajner, Hektor Shaqiri, i cili ka thënë: “Elez Gjoza e turpëroi peshëngritjen me skandalet e dopingut. Në Europianin e 2016-ës në Kroaci, na regjistroi 1 natë në hotel dhe më pas na çoi në shtëpi me qira me 5 euro nata. Duhet t’i kërkojë falje peshëngritjes për çka i ka bërë”.

Në të kaluarën edhe shtangisti Erkand Qerimaj e ka akuzuar Elez Gjozën direkt për skandalin e dopingut. “Përgjegjës kryesor i skandaleve të dopingut është Elez Gjoza. Ai kishte në dorë grumbullimin në Shqipëri. Sportistët janë të pafajshëm.

Gjoza ka dashur të mashtrojë Ambasadën Amerikane. Ai ka futur për vizë një fotoreporter të panevojshëm, jo anëtar të FSHP-së. Është turpi i Shqipërisë, nuk meriton të na përfaqësojë si president”, - ka thënë Qerimaj në vitin 2017.

Erkand Qerimaj, kampione Eruope në shkëputje. Gazeta Si, 25 gusht 2022

Kurse shtangistja Shqiponja Brahja e ka akuzuar për dhunë fizike presidentin aktual të FSHP-së: "Ndaj meje Elez Gjoza ka ushtruar dhunë fizike në zyrën e tij te Njësia 2. E ka bërë në prani të bashkëshortit tim. Ka ushtruar dhunë fizike edhe në Europianin e Tbilisit"

Dy vite pas dorëheqjes, në dhjetor të 2020-s ai u rizgjodh mes shumë kontestimesh në krye të shtangës. Gjoza zurin vendin e Theodhor Masllavicës, i cili u tërhoq nga rikandidimi në momentet e fundit. Nën zë thuhej për shkak të presionit që iu bë.

Elez Gjoza fitoi në zgjedhjet e 2020-s ndaj kandidates Eglantina Çuni, aktualisht trajnere peshëngritjeje. Rizgjedhja e Gjozës u kontestua jo pak në atë kohë nga komuniteti i shtangës, që e konsideronte përgjegjës për skandalin e dopingut.

Një skandal që rikthehet bashkë me Gjozën president. Hersljon Ismailanj ishte sportisti i parë që doli me doping në presidencën e dytë të Gjozës. Tani edhe Evangjeli Veli, një rast i përsëritur.

Në pritje të përgjigjes të testit B të Velit, akuzat dhe kundërakuzat vazhdojnë. Sportistja ka shpërthyer së fundi ndaj Gjozës, sepse çështja është shumë konfidenciale dhe se përgjigja e testit A nuk është e plotë. Dopingu në peshëngritje nuk po i ndahet Elez Gjozës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë