Politike

Presidenti i Azerbajxhanit: Studim fizibiliteti në fund të vitit për projektin e gazifikimit të Shqipërisë

Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë shtetërore në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev.

Aliyev zbuloi se në fokus të bisedimeve të sotme me Begajn kanë qenë marrëdhëniet politike mes dy vendeve, veprimtaria e përbashkët në organizatat ndërkombëtare, si dhe investimet në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.

Investitorët e Azerbajxhanit janë të gatshëm të konsiderojnë në mënyrë serioze investimet në Shqipëri në turizëm, bujqësi, apo edhe fusha të tjera, theksoi udhëheqësi azer.

"I jam mirënjohës Shqipërisë për përkrahjen që i jep Azerbajxhanit në organizatat ku ne nuk aderojmë. Si në rastin e Samitit të Frankofonisë, ku një vend anëtar kërkonte të kalonte një paragraf i cili në thelb ishte kundër çështjeve të cilat për ne janë prioritet, dhe Shqipëria e bllokoi diçka të tillë. Ky është tregues i miqësisë dhe angazhimit të fortë mes vendeve.

Pra edhe në organizatat ku për shkak se nuk është i pranishëm, Azerbajxhani nuk mund ta mbrojë dot veten e tij, jam mirënjohës që ne kemi miq të tillë si Shqipëria.

Në fokus në takimit të sotëm ishte e ardhmja, marrëdhëniet politike mes dy vendeve, veprimtaria e përbashkët në organizatat ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë në agjendën tonë kishte edhe çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe tregtinë.

Unë ripërsërita se investitorët e Azerbajxhanit janë të gatshëm të konsiderojnë në mënyrë serioze investimet në Shqipëri në turizëm, bujqësi, apo edhe fusha të tjera.

Mendoj se në vitet e ardhshme do të ketë informacion më tepër në lidhje me këtë, që do të hap një faqe tjetër në lidhje me marrëdhëniet tona të bashkëpunimit. Por deri më tani, fokusi ishte në sektorin e energjisë që është tepër i rëndësishëm, jo vetëm për vendet tona, por një numër të madh vendësh. Në veçanti, gazësjellsi TAP, korridori gazsjellës që kalon në Shqipëri, tani është burim i sigurisë së energjisë.

Duke marrë parasysh punën aktive të Azerbajxhanit me BE-në, në çështjet aktive të furnizimit me gaz dhe në dokumetet që janë nënshkruar mes Bllokut dhe Baku për çështjet e energjisë, ato përbëjnë një pikë strategjike për marrëdhëniet tona. Volumet e tregtimit të gazit po rriten, dhe bashkë me to edhe prodhimi i gazit”- tha Aliyev.

Presidenti i Azerbajxhanit paralajmëroi se sot u diskutua edhe projekti i gazifikimit të Shqipërisë. Projekti pilot, tha Aliyev, po shkon sipas planit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti për të vijuar më pas investimin për ndërtimin në Shqipëri të një rrjeti të shpërndarjes së gazit.

“Një pikë e rëndësishme është projekti i gazifikimit të Shqipërisë, që është një projekt pilot në të cilin gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe pas kësaj shpresoj të fillojmë menjëherë investimet në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit.

Gjithashtu diskutuam se si mundemi të zgjerojmë infrastrukturën tonë për tregtimin e gazit nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të rajonit”- tha Aliyev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë