Kombetarja

Presidenti Duka preferon Gjermaninë në short, për Silvinjon janë të gjithë njësoj

Gazeta Si – Trajneri Silvinjo dhe presidenti i FSHF-së, Duka, kanë folur sërish për suksesin kuqezi të kualifikimit në Euro 2024. Në emisionin “Opinion”, Duka u shpreh se ky ishte edicioni më i mirë kualifikues i Kombëtares dhe se në short do të donte Gjermaninë.

“Ky ka qenë edicioni më i mirë që ka bërë Kombëtarja shqiptare, uroj që të kemi stabilitet në të ardhmen. Ka qenë më i mirë me rezultatet, me performancë, me gola të bukur, me spektakël në shkallët e stadiumit dhe me mbështetje fantastike nga tifozët”, - theksoi Duka.

Silvinjo, Duka dhe Zabaleta festojne pas kualifikimit ne Moldavi. Gazeta Si, 22 nentor 2023

“Për ta mbyllur mund ta kishim bërë edhe një fitore, por nuk është e thjeshtë të menaxhosh kokën e futbollistit në një atmosferë të tillë. Duhet ta imagjinosh ndjesinë e futbollistit kur shkon të flejë një natë më parë, nëse nesër fitojmë apo barazojmë ne do të jemi në Europian. Për një Kombëtare nuk ka kohë. Ti duhet të punosh që të fitosh. Grupi është ky, 80 apo 90%. Broja është lojtar i veçantë, ka pësuar një dëmtim të rëndë. Ai duhet të ketë dy ose tre muaj të qetë që të rifutet në lojë. Është lojtar klasi”, – u shpreh trajneri Silvinjo.

“Nuk është se themi kot kemi talente, kemi futbollistë shumë të mirë. Që kur kemi bërë marrëveshjen me trajnerin Silvinjo, objektivi kryesor ka qenë për të shkuar në Europian. Duke pasur parasysh këtë skuadër, ndryshimin e kushteve në përgjithësi të skuadrës objektivi ka qenë gjithmonë Europiani.

Realisht bëmë akoma më shumë. Nuk e mendonim kurrë. Ne kemi marrë nga katër pikë kundër gjithë skuadrave të grupit, përveç Polonisë që kemi marrë tre pike. Nuk ka pasur në asnjë rast mosmarrëveshje me Brojën. Është një talent që nuk na vjen shpesh dhe ne nuk kemi luksin që ta humbim. Vendi i parë në grup dhe të kualifikohesh në ndeshjen e parafaundit është vërtet një rezultat shumë i mire”, - shtoi më tej Duka.

Trajneri Silvinjo dhe lojtaret duke festuar pas ndeshjes me Ishujt Faroe. Gazeta Si, 22 nentor 2024

“Kur fituam me Çekinë në shtëpi, menduam se u kualifikuam. Në nivel pikësh ishim shumë afër. Kombëtarja këtu është, dera është e hapur për të gjithë. Tani ne jemi pak entuziastë, e imagjinoj se çfarë feste shqiptare mund të ketë në Gjermani”, - tha trajneri brazilian.

Për shortin Silvinjo tha: “Janë të gjithë të fortë. Ne duhet të përmirësohemi akoma më shumë dhe të jemi gjithmonë me këmbë në tokë, duhet të fillojmë të bëjmë një rrugëtim që të mësohemi të luajmë në Europian dhe të ecim ngadalë-ngadalë. Në këtë moment për mua është një ëndërr. Kemi lojtarë të fortë dhe që luajnë në kampionate të rëndësishme“.

Duka ndërkohë për shortin e 2 dhjetorit theksoi: “Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo. Nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate.

Nga skuadrat e vazos së parë më pëlqen të luajmë ndaj Gjermanisë. Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë, pasi nuk më duket në momentin më të mire”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë