Gazeta Si – Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, u prezantua në një ceremoni ku morën pjesë zyrtarë e titullarë të institucioneve të varësisë, mes tyre dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Hoxha tha se një pjesë e konsiderueshme e karrierës së tij lidhet ngushtësisht me detyra në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fillimisht si punonjës, drejtues e tashmë titullar, çka rrit ndjenjën e përgjegjësisë për këtë detyrë.
Ai listoi shkurtimisht disa prioritete si Ministër i Brendshëm, duke nisur nga reformimi gjithëpërfshirës në zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit, zhvillimin teknologjik për të parandaluar ngjarjet kriminale e rritur sigurinë publike, apo përmirësimin e sjelljes dhe etikën e trupës policore në raport me qytetarët.
“Ligji i ri i Policisë së Shtetit do na mundësojë realizimin e një reforme të thellë në një ristrukturim dhe efikasitet për shërbimet e policisë, në kontrollin e territorit”, theksoi ministri Hoxha.
Duke e konsideruar udhërrëfyes, dosjen e dorëzimit të detyrës nga ministri paraardhës, ai shprehu gjithë angazhimin personal e profesional në detyrën e re.
Ish-ministri i Brendshëm Balla e konsideroi nder të madh të shërbente si Ministër i Brendshëm. Ai renditi disa arritje në këtë një vit në detyrë, duke nisur nga miratimi i disa akteve ligjore me rëndësi, si ai për Policinë e Shtetit, ligji për Gjendjen Civile, apo finalizimin e projektligjit për rikuperimin e aseteve të fituara nga krimi.
Më tej përmendi rezultatet konkrete si Paketa e Sigurisë në Shkolla, apo operacionet kundër narkotikëve e armëmbajtjes pa leje. Procesi i vetëpastrimit të Policisë, sipas Ballës po jep çdo ditë rezultate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.