Ka ndodhur

Prej kohësh në regjimin “41-bis”, rrëzohet kërkesa e Emiljano Shullazit

Emiljano Shullazi dhe grupi i tij, do të vijojë të qëndrojë në qelitë e regjimit të fortë “41-bis”, nën masa të rrepta sigurie dhe monitorim të plotë, të paktën deri në gusht të këtij viti.

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e bërë nga avokatët e tij për rikthimin në regjimin normal në burg të një prej personazheve më të spikatur të krimit në Shqipëri.

Shullazi dhe grupi i tij, po vuajnë një dënim me 55 vite burg në total dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzat e “grupit të strukturuar kriminal” dhe “gjobëvënie”.

Avokatët e tij e kanë cilësuar si të jashtëligjshëm vendimin për mbajtjen në regjimin e posaçëm të klientit të tyre, sa kohë që nuk ka një vendim final nga Gykata e Apelit të Posaçëm.

Në një regjim të tillë, është përcaktuar të vuajnë  vetëm ata persona që kanë një vendim të formës së prerë, ose ka indicie serioze që ata kanë kryer vepra të tjera penale gjatë kohës që janë në qeli dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë.

Një muaj më parë, Shullazi ka ngarkuar për mbrojtjen e tij edhe një avokate greko-amerikane.

Në 21 prill, Lambrini Nassis u shpreh se çdo person ka të drejtën që të ketë një proces të rregullt gjyqësor, ndërsa avokati tjetër i Shullazit, Vladimir Meçe tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të provuar pafajësinë e 43-vjeçarit.

Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”,  dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.

Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë