Editorial

Precedenti “Doshi” dhe fillimi i fatit politik të Berishës e vetë të ardhmes së PD-së

Nëse situata politike do të ishte ajo e para do viteve më parë, shumë kush mund të lodhte trurin për të gjetur një lidhje të dukshme mes Tom Doshit dhe Sali Berishës përveç faktit se të dy ata kane qenë deputet të Kuvendit të Shqipërisë dikur edhe aleatë.

Sot, në një situatë krejt tjetër, fati i tyre politik lidhet ngushtë me një vendim.

Të dy ata janë shpallur “Non Grata” nga DASH dhe si për ironinë e fatit njeriu që është sulmuar më shumë nga Berisha vitet e fundit, do të përcaktojë edhe fatin politik të tjetrit, më së paku atë të mandatit të deputetit.

Tom Doshi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit një ditë pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Para zgjedhjeve, ndaj tij, PD depozitoi zyrtarisht një kërkesë tek kryekomisioneri Ilirjan Celibashi për ta përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputete me argumentin e vetëm se ai ishte shpallur “non grata” nga SHBA.    

“Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë pasi ai është i dëbuar nga SHBA.

Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhje”, thuhej në argumentin e Partisë Demokratike

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi lejimin e kandidimit të Tom Doshit me argumentin se ai nuk kishte shkelur asnjë ligj shqiptar

“Në të gjitha rastet kur nga dokumentacioni i kandidimit, apo dhe nga të dhënat e tjera publike KQZ merr indice për hetim të thelluar ne do ta bëjmë për këdo kandidat. Ne do të fillojmë kur të jetë rasti do të bëjmë procesin e hetimit, së pari do kërkojmë informacione nga Prokurori i Përgjithshëm”, u shpreh atë kohë Celibashi.

Dhe hetimin e thelluar Prokuroria e ka bërë.

Organi i akuzës  i ktheu përgjigje KQZ-së të enjten e 4 nëntorit, por pa specifikuar nëse dispononte të dhëna shtesë për Tom Doshin edhe pse ky i fundit është dorëhequr.  

“Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Gjek Doshi dhe ia ka përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar të po këtij ligji”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Rasti “Doshi” dhe përgjigja që do të japë KQZ-ka (nëse organi i akuzës ka të dhëna shtesë për deputetin e dorëhequr), mund të shërbeje si precedent konkret për një tjetër rast, Sali Berishën i shpallur “non grata” më 19 korrik i këtij viti.

Qysh prej shpalljes së këtij vendimi, Sali Berisha ka deklaruar se ai nuk ka asnjë dosje në prokurori, ndaj tij nuk ka asnjë fakt konkret apo prove, duke vënë para faktit të kryer edhe organet e drejtësisë

Por precedenti “Doshi” në fakt mund të shërbejë për këdo që synon të përcaktoje fatin politik të Berishës apo edhe e kundërta të sheshojë mos marrëveshjet me disa artifica të tilla ligjore.

Së pari; kushdo  mund të bëjë kërkesë në KQZ për Sali Berishën e shpallur “non grata” pas zgjedhjeve.

KQZ-ja do të veprojë si në rastin “Doshi”, pra do të kërkojë informacione shtesë nga organi i akuzës, sa kohë që Berishën e ka lejuar të kandidojë me ato informacione që ata kanë për të.

Dhe më pas është organi i akuzës, (që ndryshe nga KQZ-ja), mund të kërkojë informacione jashtë vendit, qoftë edhe në SHBA për dosjen “Berisha”; rruga më e lehtë për ta futur rastin “ Berisha” në hullinë ligjore atë që askush sot nuk e merr përsipër më së paku për të vendosur fillimisht për mandatin e tij, në situatën më delikate ne te cilen ndodhet PD.

Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes se ky rast mund të nxjerrë po aq "pastër" figurën e tij, së paku nga pikëpamja proçeduriale e mandatit, një rrugë që ata që i kanë letrat në dorë por edhe llogaritë politike mund ta shfrytëzojnë për do pakte të fshehta që do të paracaktonin shumë më shumë sesa vetë fatin e Berishës, të ardhmen e PD.

Dhe kjo mund të kuptohet shumë shpejt... "11 Dhjetori" i Berishës nuk është larg...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë