Drejtësia

Dekriminalizimi/ Mbyllen hetimet për Tom Doshin, dosja shkon në KQZ

Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka përfunduar procesin e verifikimit për ish-deputetin Tom Doshi, edhe pse politikani hoqi dorë nga mandati i tij.

Gjetjet e prokurorisë janë dërguar në KQZ, ndërkohë që verifikimet ndaj tij kishin nisur përpara se Doshi të hiqte dorë nga mandati i siguruar në zgjedhjet e 25 prillit.

Rezultatet e këtyre verifikimeve, sipas Prokurorisë së Përgjithshme i janë dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.

Në atë kohë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shpjegoi se “në rastin e Doshit, KQZ ka marrë shtysën nga të dhëna publike, që e nxitin t’i kërkojë prokurorisë informacione të tjera, veç atyre që ai ka dhënë në formularin e vetëdeklarimin, për të bërë vlerësim më të plotë mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij për deputet. Por edhe në formularin e vetëdeklarimit ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, për të kërkuar hetim të thelluar për kandidatin”, - tha kreu i KQZ-së.

Gjatë verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të dinte me anë të një kërkese drejtuar Ambasadës së SHBA-ve, informacionet që dispononte rreth Doshit, nisur dhe nga fakti që Departamenti Amerikan i Shtetit, në prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara politikanit dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij, duke e shpallur "non grata"

Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, përsëriti disa herë herë apelin e saj për të penguar rikandidimin e Doshit në zgjedhjet e 25 prillit.

Në dokument shkruhej se KQZ-së duhet të bëjë zëvendësimin e tij tashmë në listë, po ashtu edhe mandatin e tij nëse e fiton një të tillë.

Doshi ishte renditur i dyti në Qarkun e Tiranës në siglën e PSD, ndërsa i pari ishte kandidati Gertjan Deda, ndërsa në Qarkun e Shkodrës ishte renditur i pari dhe në vend të dytë është kandidati Gledis Çeliku.

Pas këtyre ngjarjeve, Tom Doshi dha dorëheqjen nga kreu i PSD. Ai po ashtu dha dorëheqjen edhe nga mandati i deputetit vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Doshi ishte në listën e 28 kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i nisi për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë