Kombetarja

Prapaskena, Roma kontakton trajnerin Kristian Panuçi

Fotoja e publikuar nga Paulo Sousa në Instagram me fanellën e Juventusit ka sjellë pakënaqësi te romanistët, të cilët e kanë piketuar portugezin si pasardhësin e Euzebio Di Françeskos. Dhe shtypi italian flet tashmë për një prapaskenë, që lidhet me trajnerin e Shqipërisë, Kristian Panuçin, ish-lojtarin e Romës. E ka zbuluar “Il Messaggero” në Itali, duke sjellë disa detaje interesante.

Panuçi është me pushim në Karaibe aktualisht, por një telefonatë e ka marrë nga drejtuesit e Romës, që ka rrëshqitur në vend të 10-të, por me zonën Champions plotësisht të arritshme, pasi është 4 pikë larg. Presidenti Palota ka qenë i qartë me drejtorin sportiv Monki në takimin e zhvilluar në Boston: Di Françesko luan vendin e punës në dy ndeshjet e fundit të 2018-ës. Duhen dy fitore radhazi. Paulo Sousa është në pritje, pas largimit nga Tianjin Quanjian në fillim të tetorit. Panuçi ndërkohë pret pas kuintave.

Krstian Panuçi, kur luante me Romën

Trajneri i Shqipërisë ka marrëdhënie shumë të mira me Baldinin dhe kërkon të mësojë, nëse vërtet ai dëshiron ta ketë në krye të Romës. Të mërkurën, Di Françesko ka provimin e parë në ndeshjen me Sasuolon, që e ka drejtuar për 5 sezone. Nëse Roma dështon në mesjavë, trajneri do të largohet para kohe, pas 4 muajsh zhgënjyes, me 25 pikë distancë nga Juventusi kryesues. Pritet të jetë një javë largimesh te Roma, që është gati të përcjellë trajnerin, Karsdorp, Markano, Çoriç dhe Shik.

Kuptohet që çështja më e rëndësishme është ajo e trajnerit. Sousa po kalon pushime me familjen në Portugali dhe pret sinjale nga drejtuesit e Romës. Sinjale pret edhe Panuçi, i cili ka lënë vilën e tij në Grotaferrata dhe ka fluturuar më Santo Domingo me të birin për të pushuar në diell. Raporti i trajnerit të Shqipërisë me Baldinin ka qenë gjithmonë i mirë, ashtu si miqësia që ai ka me kapitenin De Rosi. Panuçi ka një kontratë me Federatën Shqiptare te Futbollit deri në nëntor të vitit 2019, kur mbyllen eliminatoret e “Euro 2020”. Do të jetë në Itali të premten, në vigjilje të ndeshjes me Parmën në “Tardini”. Do të shohë ish-skuadrën e tij nga shkallët e stadiumit. Roma është Roma dhe do të thotë gjithçka ose asgjë. Këtë e dinë mirë edhe në Tiranë, ku llogaritë janë bërë ndryshe. Presidenti i FSHF-së e ka votëbesuar trajnerin italian, por gjërat edhe mund të ndryshojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë