Ekonomi

PPP-të i kushtuan 13.36 miliardë lekë buxhetit të shtetit, Rruga e Arbrit mori pjesën më të madhe

Nga Gazeta ‘Si’-  Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë vitit 2025 pagesat për kontratat e Partneritetit Publik-Privat (PPP) kanë arritur në 13.36 miliardë lekë, 3% më pak se plani fillestar i qeverisë.

Peshën më të madhe në totalin e pagesave vazhdon ta mbajë kontrata për mirëmbajtjen, ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit, për të cilën janë disbursuar 3.36 miliardë lekë, ose rreth një e katërta e të gjitha pagesave PPP të vitit. Kontrata është realizuar 100% sipas planit dhe mbetet projekti me koston më të lartë në portofolin e PPP-ve aktive.

Në vend të dytë renditet kontrata për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, me rreth 1.9 miliardë lekë pagesa, e ndjekur nga financimi i kontrollit doganor me skanerë, me 1.44 miliardë lekë. Edhe këto kontrata janë realizuar plotësisht sipas planifikimit buxhetor.

Nga ana tjetër, ka një devijim të pagesave për inceneratorin e Tiranës, ndonëse sërish mbetet barrë e madhe për buxhetin. Për të janë dhënë 913 mln lekë nga 1.18 mld të parashikuara, ose sa 77% e planit. Ky është niveli më i ulët i realizimit mes të gjitha kontratave PPP të përfshira në raport.

Tabela tregon gjithashtu se disa kontrata të tjera, si mirëmbajtja e rrugës Milot-Morinë, shërbimet e hemodializës dhe laboratorët mjekësorë, janë realizuar në intervalin 97-99%, duke reflektuar një ritëm të lartë të ekzekutimit të pagesave.

Pavarësisht vlerës së konsiderueshme të pagesave, raporti thekson se rregulli fiskal për PPP-të vijon të respektohet. Pagesat për kontratat koncesionare përfaqësojnë 2.03% të të ardhurave tatimore të faktit 2025, duke mbetur ndjeshëm poshtë kufirit ligjor prej 5%. Krahasuar me vitet e mëparshme, pesha e tyre ka vijuar të bjerë, nga 2.34% në vitin 2023 në 2.22% në vitin 2024, për të zbritur në 2.03% në vitin 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë