Teknologji dhe Inovacion

“Postjer”-i shqiptar, softwer unik i bizneseve që nuk kanë nevojë të punësojnë teknik IT

Nga Gisela Troplini - A ia vlen që çdo biznes të ketë shërbimin e vetë IT. Paga... taksa, sigurime. Po sikur të ketë një mënyrë që  të gjithë bizneset , sa do të jenë në numër të kenë njëkohësisht shërbim IT dhe konsulence, pa pasur nevojë të punësojnë brenda vetë njerëz që mund ta bëjnë këtë dhe pa pasur nevojë të  vuajnë nga aftësia e  stafit që rekrutojnë.

 “Postjer Group” ka një ide.

Hudi Shehu është bashkë-themeluesi dhe drejtori i  “Postjer Group”, një kompani operimi në teknologjinë e informacionit që ofron konsulencë IT  dhe zhvillim të bizneseve të ndryshme. Kjo kompani me rrënjë shqiptare vendosur edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Hudi Shehu, bashkë-themeluesi dhe drejtuesi i "Postjer Group"

Një student i degës së IT-së që në moshën 20-vjecare, midis dëshirës dhe  njohurive lidhur me botën e teknologjisë, në mënyrë racionale dhe praktike, ngriti një kompani.

Në një intervistë për Gazetasi.al, Hudi tregon se ka më shumë se dy vite që po punohet për Postjer dhe tashmë është shumë pranë finalizimit të saj.

“I gjithë softueri është gati për lancim, por tani po testohet dhe certifikohet për pjesën e sigurisë.”

Bashkë me përkushtimin dhe interesin e vetë të riut për këtë fushë, ai tregon se vendosi  të ofronte një shërbim të tillë sepse kjo është e ardhmja.

“Nëse teknologjia është e ardhmja, kjo është e ardhmja e teknologjisë”, -u shpreh Hudi.  

Postjer Group funksionon si një softuer me burim të hapur për ndërtimin e faqeve web dhe menaxhimit të përmbajtjes.

Bashkë-themeluesi i kompanisë tregon për “SI” se: “Risia e Postjer CMS është e gjithë teknologjia që është përdorur për zhvillimin e kësaj platforme. Teknologjia unike Drag & Drop, Live Edit & WYSIWYG ( What you see is what you get ) mundësojnë për të gjitha bizneset apo individët të krijojnë blog-un e tyre, portale apo dyqane e-commerce. “

Të gjithë përdoruesit e Postjer do të kenë mundësinë e zgjedhjes 1 nga 100 template.

Çdo website ka mundësi dhe akses  të përdori të gjitha modulet apo dynamic layouts për t’i dhënë faqes web një dizajn modern, të thjeshtë dhe user friendly. Si modulet, template apo çdo risi tjetër nuk kanë nevojë për instalime shtesë apo për plugins të tjerë ashtu si mund të jetë Wordpress, por të gjitha janë të implementuar në softuerin Postjer.

Hudi tregon se bizneset e e-commerce do të kenë akses në krijimin edhe të një site informativ dhe jo vetëm vendosjen e produkteve ( automatizimi i gjithë procesit të pagesave, dërgesës, gjenerimi faturave, dhe çdo detaj tjetër qe shkon te përdoruesi fundor).

Transformimi i mënyrës së operimit të bizneseve po ecën me hapa më të shpejtë se sa vetë globalizimi. Digjitalizimi dhe përgatitja e terrenit për të dhe klientët duken beteja të ndryshme.

Si drejtuesi i një kompanie që ofron shërbime në dy vende shumë të ndryshme na njëra-tjetra, në pothuajse të gjitha aspektet, Hudi tregon se bashkëpunimi me bizneset në Shqipëri është më e vështirë se sa në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Shqipëri nuk është ende mentaliteti i konsulencës, por mungon edhe besimi.

“Që tani bizneset në Angli kanë nisur bashkëpunimin me Postjer. Ndoshta në numër bizneset nga Shqipëria mund t’i kalojnë ato në Angli, por 100 biznese këtu janë sa për 1 atje”,-thotë Hudi, lidhur me shumën që mund të paguajnë bizneset.

Ai tregon se për Shqipërinë është hequr tarifa shtesë dhe bizneset do të paguajnë vetëm shërbimin që do të marrin. Kjo për “t’i hequr një barrë biznesit”.

Pak kohë më parë është lancuar një platformë e ndërtuar nga Postjer e cila përdoret në  promovimin dhe krijimin e lidhjeve të bizneseve europiane, zhvillimin e turizmit, dhe gjithë digjitalizimin se si operojnë bizneset mes tyre, e cila quhet EUIBA.

Në këtë platformë ka elemente promovimi për çdo biznes që mund të organizojë edhe evente apo pozicione të lira punësimi.

Postjer Group është renditur si një ndër projektet start-up më të mira në Europë për vitin 2021 dhe është nominuar për çmim në të njëjtën kategori në konkursin vjetor të kësaj fushe. Ende pa dalë në treg.

Postjer-i, një emër konservator,  më shërbime futuristike për bizneset që jetojnë në mjeidsin e ftohtë të shqiptarëve.

Edhe njëherë dalim në konkluzionin se teknologjia na afron me të ardhmen, por rrugën deri atje na e shtrojnë të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë