Sociale

Post tërmeti, Raporti: 74% e fëmijëve me trauma, 85% kanë shqetësim strehimin

Një raport i nxjerrë nga World Vision ka konstuar se 85% e familjeve të prekura vazhdojnë të kenë strehimin si shqetësimin e tyre kryesor, edhe tre javë pas rënies së tërmetit të 26 nëntorit. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të raportit të parë të vlerësimit të shpejtë të situatës pas tërmetit në 4 prej bashkive më të prekura Durrës, Kamëz, Kurbin, Lezhë nga tërmeti i 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë.
Sipas raportit, banorët e anketuar të Bashkisë së Kurbinit raportojnë strehimin si nevojën më emergjente. Gjetjet tregojnë se përveç shtëpive të dëmtuara, situata në këtë zonë vështirësohet edhe nga faktorë të tjerë siç është numri i lartë i personave me aftësi të kufizuara dhe varfëria.
Problemi i dytë më i rëndësishëm lidhet me numrin e lartë të raportimeve të fëmijëve dhe të të rriturve që përjetojnë shenja të stresit pas traumës, përfshirë këtu pagjumësi, frikë, ankth dhe humbje oreksi. Këto shifra janë më të theksuara tek banorët që jetojnë në çadra (88.4%) dhe ata që ende jetojnë në shtëpitë e dëmtuara (85.2%).
“Në situatën e krijuar pas tërmetit në Shqipëri ishte parësore që krahas ndërhyrjes së menjëhershme të World Vision për nevojat më emergjente në zonat e prekura, të kishim edhe një pamje sa më konkrete të nevojave bazike që kanë familjet. Për këtë arsye, ndërmorëm një proces monitorimi që u finalizua me këtë raport. Sipas prindërve, 74% fëmijëve janë të frikësuar dhe të traumatizuar, prandaj ata duhet të jenë në fokus të çdo mase të marrë nga të gjithë aktorët në çdo sektor. Por frika që tërmeti la pas te secili prej nesh është e dukshme, prandaj është e nevojshme që të gjithë familjes t’i ofrohet mbështetja e duhur”, thekson Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha kombëtare e World Vision Albania.
Disa ndër të dhënat kryesore të këtij raporti lidhen edhe me mungesën e informacionit të banorëve në zonat rurale për shërbimet mbështetëse që janë vënë në dispozicion të të prekurve; simptomat e sëmundjeve fizike apo nevojat e përditshme. Rezultatet e raportit japin informacion për situatën e 2460 banorëve, mes tyre 951 fëmijë. Pesë fushat kryesore të anketimit lidhen me strehimin; shëndetin; të ardhurat; edukimin; aksesin në informacion dhe nevojën për ujë, ushqim dhe mbrojtje.
Pothuajse gjysma e të anketuarve (41%) i përshkruan ndërtesat shkollore të pasigurta dhe të dëmtuara si pengesën kryesore për fëmijët për të hyrë në shkolla. Pasiguria, transporti, distanca dhe mungesa e librave shkollorë janë ndër çështjet e tjera me përvojë nga të anketuarit. Drejtuesit e komunitetit raportuan se një numër shkollash në Durrës, Kamëz dhe Lezhë nuk ishin të sigurta për fëmijët që të ndiqnin mësimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë