Kombetarja

Post Polonia/ Kuqezinjtë me pengun e rezultatit, por me shumë besim për të ardhmen

Gazeta Si – Rezultati i Varshavës ka lënë trishtim në radhët e Kombëtares dhe tifozëve kuqezi, por loja dhe grinta ishin aty ku duhet dhe e ardhmja shihet me optimizëm. Përveç trajnerit Silvinjo, që e vlerësoi skuadrën për atë që dha në fushë, edhe lojtarët me më shumë përvojë shohim me besim ndeshjet e tjera.

Sokol Cikalleshi, një nga lojtarët që sakrifikuan më shumë në ndeshjen e së hënës, pohon se kundërshtari arriti të merrte tri pikët vetëm falë portierit me kualitet që ka. “Kemi hapur një faqe të re. Me shpirtin që kemi treguar, besoj se i kemi bërë shqiptarët që të ndihen mirë.

Cikalleshi gjate ndeshjes me Polonine. Gazeta Si, 28 mars 2023

Portieri i Polonisë është shumë i mirë dhe nuk na lejoi të shënonim. Kemi sakrifikuar shumë në këtë takim. I pritëm në mesfushë dhe na shkoi mirë. Pësuam një gol nga një gjysmë rasti. Përveç atij rasti, Polonia nuk pati ndonjë rast tjetër. Goli nuk na deshi as mua, as Uzunit dhe as Asllanit”, - u shpreh sulmuesi kavajas pas ndeshjes.

Klaus Gjasula, një tjetër titullar i kuqezinjve, theksoi: “Ekipi luajti mirë dhe unë personalisht u ndjeva mirë. Më dhemb rezultati, nuk e meritonim të humbisnim. I provuam të gjitha, Polonia kishte vetëm një gjysmë rasti te goli dhe një tjetër me Levandovskin. Është e vështirë, por luajtëm mirë dhe ka shumë shpresë për të ardhmen”.

Në këtë linjë janë edhe lojtarë të tjerë, si kapiteni Hysaj, apo edhe debutuesi Jasir Asani. Myrto Uzuni ‘qan’ rastin e humbur në minutat e fundit, një rast që mundi t’i jepte Shqipërisë një pikë të çmuar në transfertë.

Edhe nga specialistët e futbollit dhe opinioni ka një vlerësim pozitiv për Kombëtaren e Varshavës. Trajneri Silvinjo ndoshta kërkon më shumë kohë për të vënë më mirë në zbatim idetë e tij, sepse në vazhdim nuk mund të ngushëllohemi më me humbje dinjitoze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë