Futboll

Portugalia kampione e Ligës së Kombeve, Holanda nuk ia del në finale

Një gol i Guedes në minutën e 60-të të finales së luajtur në stadiumin “Dragao” të Portos ka bërë që Portugalia të shpallet kampione e Ligës së Kombeve. Ishte finalja e parë e këtij kompeticioni të ri dhe Portugalia ka hyrë në histori tashmë si fituesja e parë, pasi ka mundur 1-0 Holandën e trajnerit Koeman.

Luzitanët e udhëhequr nga Kristiano Ronaldo ia kanë dalë të mposhtin holandezët e rilindur, me kampionë në përbërje si Van Dijk, de Ligt, de Jong dhe lojtarë të tjerë të talentuar. Ishte një finale shumë e luftuar, e vendosur nga një e djathtë potente e sulmuesit Guedes, i cili mposhti portierin Cilesen, pas një pasimi të jashtëzakonshëm të Bernardo Silvës. Kristiano Ronaldo ngre kështu trofeun e dytë me kombëtaren e Portugalisë, pas Kupës së Europës së fituar në vitin 2016.

Portugali-Holandë 1-0
Portugalia (4-3-3): Rui Patrisio, Semedo, Ruben Dias, Fonte, Guerreiro, Danilo, Uilliam Karvalo (Neves), Bruno Fernandes, Bernardo Silva (Moutinjo), Ronaldo, Guedes (Rafa Silva). Në dispozicion: Zhose Sa, Beto, Kanselo, Sousa, Jota, Mario Rui, Pici, Zhoao Feliks. Trajner: Fernando Santos.
Holanda (4-2-3-1): Cilesen, Dumfries, De Ligt, Van Dijk, Blind, De Run (L.De Jong), F.De Jong, Berguijn (Van De Bek), Uijnaldum, Babel (Promes), Depai. Në dispozicon: Vermer, Bizot, Hateboer, Ake, Proper, Van Anholt, De Vrij, Strotman, Vilhena. Trajner: Koeman.

Portugezet festojnë fitoren ndaj Holandës

Në ndeshjen për vendin e tretë, Anglia mundi Zvicrën pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt dhe 30 minutat shtesë përfunduan në barazim, 0-0. Anglisë iu anulua një gol i shënuar nga Uillson, pas konsultimit me VAR-in. Goli nuk doli në dritë dhe të dyja skuadrat në fund gjuajtën nga 6 penallti. Për Zvicrën e Xhakës dhe Shaqirit, i cili la fushën i dëmtuar, gaboi sulmuesi Drmiç. Dajer realizoi dhe anglezët e mbyllën në vend të tretë fazën “Final Four” të Ligës së Kombeve, ku të katërta skuadrat pjesëmarrëse janë shpërblyer financiarisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë