Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë një interpelance me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkoi më shumë transparencë për projektet e Korridori VIII dhe Porto Romano.
Kapri ngriti shqetësime mbi mungesën e sqarimeve për largimin e kompanive të huaja dhe pretendimet për ndërhyrje të faktorëve të jashtëm në këtë projekt strategjik.
Ai theksoi rëndësinë ekonomike dhe të sigurisë që mbart Korridori VIII për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një nga investimet më të rëndësishme për integrimin europian të vendit. Deputeti kërkoi përgjigje konkrete mbi kostot, procesin dhe ndikimet e mundshme të jashtme në realizimin e projektit.
“Ju përmendët që është bërë studimi me kompani të huaja, por nuk dhatë shpjegime pse ikën kompanitë e mëdha. Çështja është që ju nuk dhatë një sqarim tjetër që lidhet me pjesën e sigurisë, të cilën e ka bërë çështje kryeministri, ku tha që kemi pasur ndërhyrje të huaja që nuk e duan portin, por ne do e bëjmë. Ne duam një transparencë se kush ka qenë këto vende të huaja. Ju jo vetëm që nuk e merrni seriozisht. Shqiptarët humbën 8 milionë uro, diçka është luajtur.
Projektin nuk e keni bërë transparente. Ky është një sinjal nga aleatët tanë që na thonë thirrini mendjes. Na sqaroni kush janë këto forcat e huaja që po ndërhyjnë në Shqipëri, për të ndaluar këtë projekt të madh. Nuk ka projekt më të rëndësishëm se sa korridori VIII”, tha Erald Kapri.
Atyre çfarë u tha nga Kapri, Ministri Karakaçi iu përgjigj duke i cilësuar sfida normale kur bëhet fjalë për një projekt kaq madhor dhe kompleks si i ndërtimit të Porto Romanos.
Ministri tha se kapaciteti i Porto Romanos është përllogaritur për të menaxhuar në fazën e parë 600 mijë kontejnerë duke shkuar në 1 milionë. Gjithashtu ai tha se në port do të përfshihet dhe një bazë ushtarake e NATO-s.
Sa i përket procedurës së tenderimit të dështuar pas operatorit të shpallur fitues, Karakaçi dha po të njëjtat shpjegime, se operatori është tërhequr për shkaqe ekonomike.
“Porti aktual është pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë kontejner deri në 1 milionë kontejner.
Porto Romano është një ekosistem i tërë ekonomik. Një tjetër element thelbësor, ai i dimensionit të sigurisë është kërkesë qeverisë kërkuar NATO që në këtë port të përfshihet dhe bazë ushtarake e NATO-s.
Porti i Durrësit ka thellësi deri në 8 m. Porti i ri në fazën e parë shkon në 13 m dhe më pas deri në 16 m. Ministri as nuk e bën e as nuk e anulon tenderin. Ka pasur 2 procedura, në të fundit ka pasur 5 subjekte që kanë aplikuar, janë të gjitha kompani ndërkombëtare. Ka pasur një subjekt që është kaluar në fazën përmbyllëse, por me të drejtën e tij ai është tërhequr. Marina e Durrësit nuk e impakton operacionalitetin e portit të Durrësit”, tha ndër të tjera Karakaçi.
Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi theksoi se porti i ri nuk është një projekt i ri në ide, por një investim strategjik që pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje