Futboll

Portieri i Kosovës “hero”, kualifikon Sitin në Kupën e Anglisë

Në stadiumin “King Power” heroi që kualifikoi Mançester Sitin në çerek finale ishte një shqiptar. Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriç ka pritur dy penallti në ndeshjen e Kupës së Anglisë mes Mançester Sitit dhe Leisterit.

Ndeshja e cila në kohën e rregullt u mbyll në barazim 1-1, fituesin e zgjodhi pas gjuajtjes së penalltive, nga të cilat fitimtarë kanë dalë “qytetarët” e Guardiolës. Ishte një ndeshje e rëndësisë së dytë për Mançester Sitin dhe për këtë arsye trajneri spanjoll kishte hedhur në fushën e lojës lojtarë të rinj. Walker, De Drynje, Mharez dhe Aguerro, ishin të vetmit lojtarë të formacionit të parë që Guardiola kishe vendosur të hidhte në fushë për sfidën me Leister. Përvec Muriç, Guardiola i kishte dhënë mundësinë të luante që nga minuta e parë edhe dy talenteve të tjerë, mbrojtësit Garsia dhe mesfushorit Foden.

Sfida do të fillonte shumë mirë për kampionët e Premier League që do e gjenin golin që në minutën e 14’. Belgu Kevin De Brynje tregoi gjithë talentin dhe klasin e tij dhe me një gjuajtje nga larg mposhti portierin e skuadrës vendase. Por pas këtij goli, sa për mungesë eksperience, por edhe për shkak të presionit të Leister, Mançester Siti nuk mundi të shënonte golin e dytë.

Me kalimin e minutave “dhelprat” e morën vetën dhe tentuan disa raste t’i afroheshin portës. Në pjesën e dytë Leister do të ishte akoma dhe më i rrezikshëm, madje do arrinte edhe të barazonte. Ishte Ollbrajton që çoi shifrat në 1-1, rezultat që rezistoi deri në vërshëllimën finale të arbitrit.

Më pas tek penalltitë do të thirreshin në apel portierët dhe momenti i shkëlqimit për gardianin kosovar, Arijanet Muriç. Të parën shtatlarti nuk mundi dot ta ndalonte edhe pse e kuptoi krahun e gjuajtjes. Në gjuajtjen e dytë ishte me fat, pasi topi doli jashtë kuadratit, ndërsa në gjuajtjet tre dhe katër do të ishte fenomenal, duke e ndalur topin. Nga ana tjetër sulmuesit e Sitit nuk i gabuan gjuajtjet e tyre dhe kështu ekipi i Guradiolës avancon më tej në Kupën e Anglisë.

Arijanet Muriç është një produkt i akademisë së “Qytetarëve”. Ai sezonin e shkuar ishte portier te Nak Breda në kampionatin holandez ndërsa verën e shkuar Guradiola vendosi që ta mbajë në ekipin e tij dhe i besoi rolin e portierit të dytë, zëvendësues i brazilianit Ederson. Në muajin korrik Muriç pranoi edhe ftesën e përfaqësueses së Kosovës, duke u bërë portieri i parë dhe la në stol veteranin Samir Ujkani. Sipas gazetave angleze 20-vjeçari ishte një nga më të mirët mbrëmjen e së martës, por kjo nuk ishte ndeshja e tij e parë e mirë. Ai edhe me herët ka bërë paraqitje shumë të mira në portën e Sitit, sa herë që i është dhënë mundësia.

Nga shumë analistë dhe specialistë portierësh, për shkak të fizikut gardiani kosovar cilësohet si portieri i së ardhmes. Më shumë mundësi pas dy apo tre sezonesh ai pritet të jetë portieri titullar i “qytetarëve” edhe pse Ederson Moraesh është një gardian i niveleve të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë