Lexo me "Si"

Portieri i bordelit

Nga Jorge Bucay*-Nuk kishte në fshat një punë më keq të trajtuar dhe më keq të paguar se ajo e portierit të bordelit. Por çfarë gjëje tjetër mund të bënte ai njeri?

Ai kurrë nuk kishte mësuar të lexonte dhe as të shkruante, nuk kishte asnjë aktivitet tjetër e as punë. Në realitet, ishte vendi i tij sepse babai i tij kishte qenë portier i këtij bordeli dhe po ashtu me parë babai i babait të tij. Gjatë dekadave, bordeli kalonte nga etër në bijë dhe puna e portierit kalonte nga etër në bijë.

Një ditë, pronari plak vdiq dhe bordelin e mori përsipër djalë i tij, i cili ishte i ri me ëndrra, krijues dhe i shkathët. I riu vendosi ta modernizojë biznesin. Modifikoi dhomat dhe më pas la takim me personelin për t'iu dhënë udhëzime të reja. Portierit i tha:
- Duke filluar nga sot ju, përveçse që do të rrini tek porta, do të më përgatisni një raport javor. Në të ju do të shënoni sasinë e çifteve që hyjnë çdo ditë. Një në çdo pesë çifte, do ta pyesni se si i kemi pritur dhe se çfarë do të kishin dëshirë që të ndryshohej në këtë vend. Një herë në javë, do të ma paraqisni këtë raport me komentet të cilat ju i mendoni të arsyeshme.

Burri u drodh, kurrë nuk i kishte munguar dëshira për në punë por .....

- Do të më pëlqente që t'ju kënaqja zotëri - belbëzoi - por unë ... unë nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj.

- Ah! Sa keq më vjen! Siç dhe ju vetë e kuptoni, unë nuk mund të paguaj një person tjetër për të bërë këtë por, as nuk mund të pres derisa ju të mësoni të shkruani, kështu që...

- Por... zotëri..., ju nuk mund të më pushoni nga puna, unë kam punuar këtu gjithë jetën time, po kështu babai im edhe gjyshi...

I riu nuk e la të mbaronte.

- Shiko, unë të kuptoj por, nuk mund të bëj asgjë për ju. Logjikisht do t'ju japim një kompensim, pra, një sasi parash që t'i keni derisa të gjeni diçka tjetër. Kështu që, më vjen keq. Paçi fat.

Dhe pa thënë asnjë fjalë më shumë i ktheu kurrizin dhe iku.

Burri ndjeu botën të përmbysej. Kurrë nuk kishte menduar që mund të gjendej në këtë situatë. Mbërriti në shtëpi për herë të parë si i papunë. Ç'të bënte?

Kujtoi që nganjëherë në bordel, kur prishej ndonjë shtrat apo i shkatërrohej një këmbë dollapit, ai, me një çekan dhe gozhdë e rregullonte. Mendoi se kjo mund të ishte një punë e përkohshme derisa dikush t'i ofronte një punë tjetër. Kërkoi nëpër shtëpi të gjitha veglat që i nevojiteshin, kishte vetëm disa gozhdë të oksiduara dhe një pincë buzëngrënë.

Duhet të blinte një kuti me një komplet veglash. Për këtë do të përdorte një pjesë të parave që mori.

Tek kthesa e shtëpisë u kujtua që në fshatin e tij nuk kishte një dyqan për vegla dhe i duhej që të udhëtonte dy ditë për të shkuar në fshatin më të afërt për të blerë veglat që i duheshin.

- E ç'problem ka? – i tha vetes dhe u nis në rrugëtim.

Kur u kthye kishte një kuti, të bukur dhe të plotë, me vegla. Nuk kishte hequr akoma këpucët kur i trokitën në portë. Ishte fqinji i tij.

- Erdha t'ju pyes nëse keni një çekan për të ma huazuar.

- Epo, po, sapo e kam blerë por, më duhet për të punuar... sepse kam ngelur pa punë...

- Mirë por, unë do t'jua kthej nesër në mëngjes herët.

- Mirë.

Mëngjesin tjetër fqinji, siç i kishte premtuar, trokiti në portë.

- Shiko, mua akoma më duhet çekani. Përse nuk ma shisni?

- Jo, më duhet për të punuar dhe për më tepër, dyqani është dy ditë larg me mushkë.

- Bëjmë një marrëveshje - i tha fqinji. - Unë do t'ju paguaj juve dy ditët e shkuarjes dhe dy ditët e kthimit, plus çmimin e çekanit, ju jeni që jeni pa punë. Si ju duket?

Në fakt kjo i jepte punë për katër ditë. Pranoi. U kthye dhe i hipi mushkës.

Në kthim, fqinji tjetër e priste tek porta e shtëpisë.

- Përshëndetje komshi. Ju i shitet një çekan mikut tonë?

- Po...

- Unë kam nevojë për disa vegla, jam gati t'ju paguaj katër ditët tuaja të udhëtimit dhe nga një fitim të vogël për çdo vegël. Ju e dini që jo të gjithë kemi mundësi të kemi katër ditë në dispozicion që të blejmë gjërat që na duhen.

Ish portieri hapi kutinë e tij të veglave dhe fqinji zgjodhi një pincë, një kaçavidë, një çekan, dhe një daltë. E pagoi dhe shkoi.

Filloi të sillte nëpër mendje "... Jo të gjithë kemi mundësi të kemi katër ditë në dispozicion që të blejmë gjërat që na duhen". Nëse kjo ishte e vërtetë atëherë, shumë njerëz mund të dëshironin që ai të udhëtonte për t'iu sjellë vegla.

Në udhëtimin tjetër vendosi të rrezikonte pak nga paratë që mori kur e pushuan nga puna, duke sjellë më shumë vegla, të njëjta me ato që kishte shitur. Dhe kështu kursente dhe disa herë udhëtim.

Zëri filloi të hapej nëpër lagje dhe shumë njerëz donin të mënjanonin udhëtimin. Tani një herë në javë, ndërmjetësi i veglave udhëtonte dhe blinte ato që iu nevojiteshin klientëve të tij.

Shpejt mendoi që nëse gjente një vend ku të linte veglat, mund të kursente më shumë udhëtime dhe të fitonte më shumë para. Mori me qira një kasolle të madhe. Më vonë i bëri një hyrje më të mirë dhe disa javë më vonë dhe një dritare me xham, kasollja u kthye në dyqanin e parë të veglave në fshat.

Të gjithë ishin të kënaqur dhe blinin në dyqanin e tij. Tani nuk udhëtonte më, nga dyqani i veglave i fshatit afër ia dërgonin kërkesat e tij. Ai ishte një klient i mirë.

Me kalimin e kohës, të gjithë blerësit e fshatrave më të vegjël që ishin rrotull vinin të blinin në dyqanin e tij dhe kështu fitonin dy ditë rrugë.

Një ditë ndodhi që miku i tij, tornitori, mundi të prodhonte për të kokat e çekanëve. Dhe më vonë edhe pincat, daltat. Dhe më vonë gozhdët dhe vidat...

Për të mos e zgjatur shumë tregimin, ndodhi që në dhjetë vjet ai burrë u kthye me ndershmëri dhe punë në prodhuesin milioner të veglave. Tregtari më i fuqishëm i krahinës. Aq i fuqishëm ishte, sa që në ditën e fillimit të shkollës, vendosi t'i dhuronte fshatit një shkollë. Në të do të mësohej shkrim dhe lexim, art dhe punët më praktike të kohës.

Kryetari i komunës dhe përgjegjësi i arsimit organizuan një festë të madhe për inaugurimin e shkollës dhe një darkë të rëndësishme për dhuruesin. Në kohën e ëmbëlsirës kryetari i komunës i dhuroi çelësin e qytetit kurse përgjegjësi i arsimit e përqafoi dhe i tha:

- Me shumë krenari të madhe ju kërkojmë që të na nderoni duke vendosur firmën në faqen e parë të librit të procesverbaleve të shkollës.

- Nderi do të ishte për mua - tha burri. - Mendoj se asgjë nuk do të më pëlqente më shumë se sa të firmosja aty, por unë nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj. Unë jam analfabet.

- Ju? - tha përgjegjësi i arsimit, i cili nuk po arrinte ta besonte. - Ju nuk dini as të lexoni dhe as të shkruani? Ju krijuat një perandori industriale pa ditur shkrim e këndim? Jam i habitur. Pyes veten se çfarë do të ishit bërë po të dinit shkrim e këndim?

- Unë mund t'jua them.. - u përgjigj burri me qetësi. – se nëse unë do të dija të lexoja dhe të shkruaja... do të isha... portieri i bordelit.
Përktheu Meri Lika

Shënime biobibliografike për autorin:


Jorge Bucay është një psikodramaturg, terapeut dhe shkrimtar argjentinas. Ka lindur në Buenos Aires në 1949, në një familje të thjeshtë në lagjen Floresta. U diplomua si mjek në 1973, në Universitetin e Buenos Aires dhe u specializua për sëmundjet mendore në shërbimin e konsultave të brendshme në spitalin Pirovano të Buenos Aires dhe në klinikën Santa Monica. Ka punuar që nga mosha 13 vjeçare.

Gjatë jetës së tij ka qenë shitës ambulant çorapesh, librash, rrobash sportive, agjent siguracionesh, taksist, palaço, shitës marketi, edukator, aktor, mjek roje, organizator festash për fëmijë, psikiatër, kordinues grupesh, bashkëpunëtor në radio, drejtues televiziv dhe psikoterapeut çiftesh dhe të rriturish.

Aktualisht, puna e tij si ndihmës profesional, siç ai e përkufizon veten, ndahet mes konferencave të mësimëdhënies terapeutike që mban prej disa vjetesh duke udhëtuar nëpër botë dhe shpërndarjes së librave të tij, veglave terapeutike sipas autorit.

Është autor i "Letrat për Klaudian", "Më ler të të tregoj", "Tregime për të menduar", "Të duhemi me sy hapur", "20 hapa përpara" dhe "Kandidati". Është gjithashtu autor i katër librave që përbëjnë serinë "Gjethet e Rrugës": "Udhëtimi i auto-varësisë", "Udhëtimi i takimit", "Udhëtimi i lotëve" dhe "Udhëtimi i lumturisë".
Veprat e tij janë kthyer në bestseller në Meksikë, Uruguaj, Kil, Kosta Rica, Venezuelë, Puerto Rico dhe Spanjë dhe janë përkthyer në shtatëmbëdhjetë gjuhë.

Në 2005 u akuzua se në pjesën e pestë të librit të tij "Shimriti", kishte futur fragmente të

kopjuara nga një tekst i shkruar nga Monica Cavalle, megjithëse më vonë ai do të

deklaronte se ishte "një gabim absolutisht i pavullnetshëm" mos citimi i burimeve.

Veprat:

Letrat për Klaudian (1989), Rinumërim për Demián (1994), Tregime për të menduar (1997), Nga autostima në egoizëm (1999), Të duhemi me sy hapur (2000), Më ler të të tregoj (2002), Shimriti (2005), Kandidati (2006), 20 hapa përpara (2007), 3 pyetjet (2008)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë