Futboll

Portieri bie pa ndjenja në fushë, stafi mjekësor shmang tragjedinë në Pogradec

Gazeta Si - Momente paniku në stadiumin e Pogradecit, “Gjorgji Kyçyky”, por për fat të mirë, tragjedia është shmangur. Portieri i Pogradecit, Hergis Alliu, ka rënë pa ndjenja në tokë, pasi është përplasur me një sulmues të Shkumbinit, ekipit kundërshtar.

Ndeshja kishte vetëm pak minuta që kishte nisur dhe të gjithë të pranishmit në stadium ‘ngrinë’ për disa minuta, ndërsa stafi mjekësor i Pogradecit ka vepruar menjëherë dhe ia ka dalë të largojë frikën e madhe.

Portieri Alliu, 19 vjeç, u rrëzua në fushë pas goditjes, ndërsa gjuha i kishte bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Ndërhyrja e fizioterapistes Alma Angjo bëri që situata të normalizohej. Më pas portieri u transportua me autoambulancë drejt spitalit të qytetit për kontrolle më të specializuara.

Në atë moment lojtarët dhe stafet e dy skuadrave, si dhe të gjithë tifozët e pranishëm, duartrokitën dhe u çliruan që gjithçka kaloi pa pasoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë