Politike

‘Porosi për vëllanë e vogël?’, Rama: E kam në Tiranë! Biznesmenët e Kosovës të investojnë në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - “Vëllanë e kam në Tiranë”, u përgjigj kryeministri Edi Rama kur u pyet për “vëllanë e vogël”, Albin Kurti, në Prishtinë.

Në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Komunës së Prishtinës, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse ka ndonjë porosi “për vëllanë e vogël”.

"Vëllanë e vogël e kam në Tiranë është drejtori i klubit Partizani, është Olsi Rama. Më bëtë pyetje me shpresën që do më fusnit në kurth, por jam mësuar me këto kurthe, por po rashë në kurth hidhem vetë nuk më fut dot njeri", iu përgjigj Rama.

I pyetur nëse mendon se ka lider unifikues në Kosovë, Rama tha se interesi kombëtar duhet ndarë nga interesi partiak.

"Nuk është çështje personash, është çështje e ndarjes interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre ata janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave dhe brenda gjërat mund të diskutohen, por interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilin përcaktohet edhe mënyra si të tjerët na shohin", u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Nga Prishtina, kreu i qeverisë u bëri thirrje investitorëve në Kosovës që të vijnë të investojnë edhe në Shqipëri. Kreu i qeverisë tha se ata nuk duhet të ndihen si investitorë të huaj por duhet ta konsiderojnë Shqipërinë si shtëpi të dytë.

“Më vjen mirë që kohët e fundit ka një numër në rritje sipërmarrësish nga Prishtina por edhe komuna të tjera të Kosovës që interesohen për të investuar në Shqipëri. Përfitoj nga rasti t’ju them edhe të tjerëve që Shqipëria është shtëpia juaj dhe ju nuk jeni investitorë të huaj në Shqipëri por jeni investitorë shqiptarë. Punët po shkojmë shumë mirë për investimet, turizmin.”

Në vizitën e tij atje, ai u nderua dhe me çmimin “Çelësi i Qytetit” nga kryetari i komunës së kryeqytetit, Përparim Rama.

Për këtë vlerësim, kryeministri Rama tha se Prishtina është kryeqyteti tjetër i shqiptarëve dhe ndihet i nderuar për çmimin e marrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë